MENU
klinika

Shkëlqejnë Durant dhe Booker

Suns barazojnë serinë me Nuggets!

08.05.2023 - 11:51

Niveli më i lartë i basketbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NBA zhvilloi një nga ndeshjet gjysmëfinale në Konferencën e Perëndimit. Phoenix Suns fitoi në Arizona kundër Denver Nuggets 129-124. Në fund ishin vendasit që dolën me kokën lart nga parketi, duke dërguar serinë e ndeshjeve mes tyre në 2-2.

Çereku i parë i lojës pa miqtë më të vendosur, teksa fituan me dy pikë diferencë 32-34. Në periodën e dytë, vendasit fituan 31-27 duke marrë avantazhin. Me katër pikë fituan Suns edhe në çerekun e tretë, që u mbyll 35-31. Në të katërtën Nuggets fituan me një pikë diferencë 31-32, duke mos përmbysur dot ndeshjen që shkoi për Suns.

Te Phoenix më të mirët në fushë ishin Kevin Durant me 36 pikë, 11 kërcime në tabelë dhe gjashtë asiste, si edhe Devin Booker me 36 pikë, 6 kërcime në tabelë dhe 12 asiste. 19 pikë për Suns shtoi edhe Landry Shamet. Te Nuggets më i miri në parket ishte Nikola Jokic me 53 pikë, katër kërcime në tabelë dhe 11 asiste.