MENU
klinika

Analiza

Tri armët që mund ta thyejnë Rusinë brenda këtij viti

27.05.2023 - 09:09

Mos kini asnjë dyshim: Lufta e Ukrainës mund të përfundojë që këtë vit, me mposhtjen e ushtrisë ruse. Gjithçka që nevojitet, është që ne në Perëndim t’u japim ukrainasve armët që u nevojiten për ta fituar luftën. Dhe mungesa e qartësisë mbi objektivin tonë, veçanërisht në Shtëpinë e Bardhë, po e pengon veprimin efektiv.

Nëse duam vërtet që ukrainasit ta fitojnë këtë luftë dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat, Rusia duhet të mposhtet dhe do të dëbohet nga territori ukrainas.

Ja cilat janë armët që duhet të dërgojmë dhe që do t’i ndihmonin shumë ukrainasit që të fitojnë.

Së pari është Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë, ATACMS. Ai mund të përdoret nëpërmjet platformave të sistemeve HIMARS që kemi dërguar tashmë në Ukrainë. Për momentin, këto të fundit janë të armatosura me Sistemin e Raketave të Shumëfishta të Drejtuara (GMLRS), që mund të godasin objektivat deri në 90 km larg.

Ndërkohë sisteme i ATACMS, mund të arrijë të godasë në një largësi deri 300 km. Edhe një ATACMS mund të bartë 6 GMLRS. Sistemi raketor ATACMS do të ndryshonte luftën, sepse do të ekspozonte çdo centimetër katror të territorit të pushtuar ukrainas, përfshirë të gjithë gadishullin e Krimesë.

Weapons of Ukrainian Victory: ATACMS missiles for HIMARS and MLRS

Po ashtu, ne duhet të dërgojmë në Ukrainë bombën me diametër të vogël të lëshuar nga toka, një tjetër armë me rreze më të gjatë nga rezervat ekzistuese, në vend që të presim që të reja të prodhohen posaçërisht për ëtë luftë. Gadishulli i Krimesë, është terreni vendimtar i kësaj lufte.

Bakhmut është relativisht i parëndësishëm. Për sa kohë që Rusia mban të pushtuar Krimenë, Putin kontrollon Detin Azov dhe kërcënon qytetin-port të Odesës. Baza detare e Sevastopolit, në skajin jugor të Krimesë, është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi dhe i jep mundësi Moskës të kontrollojë qasjen e Ukrainës në oqeanet e botës dhe rrugët e transportit detar.

Ndërkohë, Krimea është gjithashtu një rrugë e rëndësishme logjistike për forcat e Putinit në jug të vendit. Pasi municionet, materialet dhe përforcimet mund të lëvizin në gadishull nëpërmjet Urave të Kerçit dhe më pas në linjën e frontit.

Një marrëveshje paqeje, sipas së cilës Rusia do të vazhdonte të mbante Krimenë është një humbje për Ukrainën. Nëse vazhdon të mbahet nën rrethim, vendi nuk do të ishte në gjendje të rindërtonte veten. Dhe kjo situatë do të kishte pasoja për të gjithë Evropën, pasi miliona refugjatë mund të mos jenë në gjendje të kthehen në shtëpi.

Megjithatë ka arsye që te jemi optimistë. Zelensky dhe gjeneralët e tij kanë arritur deri tani një sukses të jashtëzakonshëm. Teksa rusët u bllokuan në Bakhmut, komanda e lartë ukrainase arriti t’i rezistojë tundimit për të çuar atje përforcime. Ndërkohë, i ka dhënë mundësinë të grumbullojë një sasi e madhe fuqie luftarake.

Tani ajo ka 3 brigada të pajisura me tanke perëndimore dhe armë të tjera, dhe disa brigada të tjera me armaturë origjinale ukrainase apo të kapur nga rusët, dhe që janë gati për t’u hedhur në sulm. Tanket dhe këmbësoria e blinduar, duhet të shoqërohen nga mbështetje inxhinierike, e cila t’i kalojë ato përmes mbrojtjes ruse, të mbështetura nga artileria e rëndë e lëvizshme.

Po ashtu, duhet të ketë furnizime të mëdha me municione, karburant dhe pjesë këmbimi.

Ndërsa përdoret kjo sasi forcë, bateritë e lëvizshme të mbrojtjes ajrore duhet të ecin përpara për të mbrojtur forcat tokësore. Por edhe më e rëndësishmja:duhet të rritet ndjeshëm fuqia ajrore ukrainase, duke iu dhënë atyre avionët luftarakë F-16, dhe duke i garantuar trajnimin dhe mbështetjen e nevojshme për t’i përdorur ato.

Duke pasur parasysh epërsinë e madhe të forcave ajrore ruse në numër, ky mund të duket të duket si një mision i pamundur. Por fakti është se fuqia ajrore ruse ka rezultuar të jetë shumë më pak efektive nga sa mendonim, dhe një gjë është e sigurt:ne vazhdimisht e mbivlerësojmë kohën që u duhet ukrainasve për të mësuar teknika të reja dhe përdorur armët e reja.

 

Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë vendosja e sistemeve të nevojshme për të operuar me një flotë avionësh perëndimorë. Por përgjigja ndaj kësaj sfide është:sillni këtu kontraktorë, të cilët mund të ofrojnë mirëmbajtjen jetike dhe mbështetje tjetër thelbësore, dhe ta bëjnë këtë sa më shpejt.

Shumë shpejt ukrainasit do të jenë në gjendje të përdorin avionët e tyre dhe ato të dërguara nga Perëndimi për të siguruar mbulim për kundërsulmin e tyre tokësor. Atyre nuk do t’u duhet shumë kohë, nëse mund të pajisen me mjetet e duhura, për t’iu kundërvënë bombardimeve me raketa ruse dhe për të filluar të kontrollojnë qiejt e tyre.

Taiwan Receives First Upgraded F-16 Viper Fighter Jet – The Diplomat

Kjo më çon tek sistemi tjetër kryesor i armëve që duhet të dërgojmë:dronin Grey Eagle. Ai do t’i japë mundësi ukrainasve të ofrojnë mbështetje ajrore në fushën e betejës, pa rrezikuar pilotët dhe avionët e paktë në numër. Grey Eagle mund të mbajë 4 raketa Hellfire, ku secila mund të shkatërrojë një tank ose një automjet tjetër të blinduar.

Me këto aftësi, Ukraina do të jetë në gjendje të kryejë një sulm të blinduar dhe të ndërpresë “urën tokësore”, brezin e territorit bregdetar që lidh Rusinë dhe Krimenë. Me ATACMS në dispozicion, ukrainasit që përparojnë do të jenë në gjendje të godasin bazën detare të Sevastopolit dhe bazën ajrore Saky, dhe t’i dëbojnë rusët.

Mund të ketë kuptim që të lihen pa prekur Urat e Kerçit për pak kohë, pasi kjo do t’i lejojë rusët të largohen. Por nëse Putini i përdor urat për të dërguar përforcime, atëherë ato mund të shkatërrohen. Tanket perëndimore që janë dërguar tashmë në Ukrainë Abrams, Leopard dhe Challenger, janë që të gjithë të shkëlqyer.

Por nëse keni një ekuipazh që është i shkëlqyer në përdorimin e një tanku rus T-72, atëherë ai mund të jetë tanku më i mirë që mund t’u dërgohet ukrainasve. Ndërkaq, ajo që nuk duhet të bëjnë ukrainasit, është përzierja e llojeve të ndryshme të automjeteve brenda njësive:çdo njësi duhet të përdorë një lloj të vetëm për të thjeshtëzuar mirëmbajtjen, riarmatosjen e kështu me radhë.

Me ndërprerjen e urës tokësore që ka krijuar Rusia, dhe me rrëzimin e Urës së Kerçit apo lënien e saj të hapur si një rrugë tërheqjeje, do të jetë e mundur që Moska të largohet nga Krimea. Sigurisht që s’do të jetë e lehtë, por me aftësinë për të kryer goditje me të saktësi të madhe në të gjithë zonën dhe me fuqinë ajrore dhe detare ruse që detyrohet të largohet nga gadishulli, kjo gjë mund të arrihet.

Pasi të çlirohet Krimeja, unë nuk besoj se në Moskë do të ketë ndonjë dëshirë shumë të madhe për të luftuar për pjesët e mbetura të Ukrainës Lindore. Donbasi ishte kryesisht i rëndësishëm si një trampolinë për t’u lidhur me Krimenë.

Lufta mund të fitohet dhe të përfundojë që këtë vit. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse ne perëndimorët biem dakord se kjo është ajo që duam dhe të fillojmë të veprojmë në funksion të këtij qëllimi.

Gjeneral-lejtnant në pension Ben Hodges, shërbeu si gjeneral i Ushtrisë e Shteteve të Bashkuara për Evropën. Ai ka qenë komandant brigade gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003.