MENU
klinika

Shifrat e INSTAT

Turizëm pa punëtorë, ja vendet bosh në këtë sektor

27.05.2023 - 09:04

Mungesa e fuqisë punëtore po penalizon thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Por më shqetësuese situata është për turizmin, me sezonin veror në prag.

Për shkak të emigracionit të vazhdueshëm, popullsia shqiptare është tkurrur ndjeshëm vitet e fundit, nga 2.88 milionë banorë në vitin 2017, në 2.81 milionë në vitin 2021, që është e dhëna e fundit zyrtare, pasi statistika për vitin 2022 nuk është publikuar ende nga INSTAT.

Mungesa e fuqisë punëtore pritet të godasë jo pak turizmin, një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë.

Sipas të dhënave, turizmi jep një kontribut direkt prej 7.5% në rritjen ekonomike dhe indirekt ky kontribut për shkak të lidhjes me sektorët e tjerë, arrin deri në 17.5%. 8.1% të totalit të të punësuarve në vend janë në turizëm, ndërkohë që paga mesatare bruto në këtë sektor është 57.613 lekë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se ky vit ka nisur i mbarë për turizmin.

Në katër muajt e parë të këtij viti janë future në vendin tonë 1.7 milionë turistë, me një rritje të ndjeshme prej 57% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Por mungesa e fuqisë punëtore, nëse nuk arrin të rikuperohet do të jetë një problem jo I vogël për të përballuar një fluks të tillë, që pritet të rritet gjatë muajve të verës. Po ku janë vendet bosh në sektorin e turizmit?

Mungojnë punonjës të të gjitha profileve. Në profilin e ulët mungesat janë për kamarier; banakier; ndihmës kuzhinier dhe staf mirëmbajtjeje. Në profilin e mesëm ka mungesa për guida turistike; shoferë mjetesh transporti për qëllime turistike; ciceronë të siteve turistike dhe organizatorë të aktiviteteve re-kreative. Në profilin e lartë mungojnë drejtues operacionesh turistike; menaxher hoteli; menaxher destinacioni dhe drejtues të agjencive turistike.

Ndërkaq konkurrenca nga vendet e tjera për sektorin e turizmit mbetet e lartë.

Duke pasur parasysh tipologjinë e turistëve që zgjedhin Shqipërinë, ne kemi konkurrentë malin e Zi; veriun e Greqisë dhe pjesën jugore të Kroacisë.