MENU
klinika

Nëna e ‘Koçoles’: E lashë në gjumë, por…!

Zhdukja e dy 46-vjeçarëve në Sarandë/ Dëshmia e familjarëve të tyre

24.05.2023 - 20:44

Shperndaj ne TwiEmisioni “Në Shënjestër”, i gazetares Klodiana Lala, ka sjell sot detaje të reja për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve në Sarandë.

Një metodë për të eliminuar kundërshtarët, apo një paralajmërim për të tjerët, që jo vetëm ju vrasim, por edhe ju zhdukim kufomat.

Në Shqipëri nuk ka ende një të dhënë se klanet mafioze po përdorin ‘Lupara Biancan’, apo ndryshe, shuarjen në acid të trupave të kundërshtarëve, një metodë e vjetër kjo e përdorur nga ‘Cosa Nostra’ në Itali.

Por fakt është që shumë nga grupet kriminale shqiptare, duke imituar mafien italiane kanë futur në modë, zhdukjen e trupave të armiqve të tyre, një teknikë gati e sigurtë dhe e pastër, ku si fillim përdoret joshja e objektivit me një justifikim të qëlluar, më pas rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e trupit të tij.
Egërsi e pastër, e cila kapërcen çdo skenar filmi, kjo duket të jetë edhe historia e Leonard Thodhorit, njohur me pseudonimin ‘Koçole’ dhe Fatmir Sulovarit që më herët mbante mbiemrin e familjes, Krasniqi.

Dy 46-vjeçarë, miq me njëri-tjetrin, të cilët humbën pa gjurmë, në rrethana të paqarta ende edhe sot, të enjten e datës 6 prill 2023, në qytetin e Sarandës, pikërisht në qytetin i cili muajt e fundit është kthyer në eksportues të disa prej krimeve më të rënda të ndodhura në Shqipëri.

Ngjarje, fijet e të cilave, duket se lidhen edhe me zhdukjen e papritur të ‘Koçoles’ dhe mikut të tij Sulovari.

Por, si humbën gjurmët dy të njohurit me njëri-tjetrin? Cila është e tashmja dhe e shkuara e tyre kriminale?

A u bë ajo shkak për atë që konsiderohet si rrëmbimi dhe zhdukja e tyre?

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, Leonard Thodhori, njohur si ‘Koçole’ dhe miku i tij Fatmir Sulovari, u zhdukën pa gjurmë më datë 6 prill në afërsi të Kanalit të Çukës, në Sarandë. E para që iu drejtua komisiariatit të policisë Sarandë, për humbjen e djalit të saj, ishte nëna e 46 vjeçarit, Leonard Thodhori.

Ajo tha për grupin hetues, se takimi i fundit me të birin kishte qenë paraditen e datës 6 prill, kur ajo e kishte lënë djalin e saj në gjumë, në banesë, bashkë me një shokun e tij të quajtur Miri, i cili kishte bujtur në shtëpinë e tyre një natë më parë.

Ndërsa vetë ishte nisur për te motra e saj, ku kishte kaluar edhe mbrëmjen, por me t’u kthyer të nesërmen në banesë, më datë 7 prill, ajo thotë se nuk e gjeti aty të birin.

“Hera e fundit që e kam takuar djalin ka qenë më datë 6 prill. Leonardi paradite do të shkonte në Sarandë pasi kishte ditën që do të merrte ilaçet te spitali i qytetit, medikamente që i merrte për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike. Më datë 7 Prill 2023, në mëngjes unë u ktheva në shtëpi por nuk gjeta në banesë as Leonardin dhe as shokun e tij Mirin”, deklaron Evanthi Thodhori.

Por ajo që e shqetësoi nënën më shumë se sa mungesa e pajustifikuar e të birit, do të ishte mënyra se si Leonardi kishte lënë në rrugë makinën me të cilën lëvizte, makinë e cila u gjet e parkuar keq më datë 7 prill, pranë banesës së saj, në fshatin Çukë në Sarandë.

Kjo rriti dyshimin te nëna e Leonardit dhe te familjarët se diçka e pazakontë kishte ndodhur me të afërmin e tyre.

“Ditën e premte, ndërsa u ktheva në banesë, pashë të parkuar keq pranë banesës, makinën që Leonardi kishte marrë me qira. Unë u bëra merak dhe i telefonova gruas së djalit, nëse Leonardi ishte në shtëpi. Ajo mu përgjigj që Leonardi nuk ndodhej në banesë, dhe se telefoni i tij i dilte i fikur. Sipas gruas së tij hera e fundit që kishte folur me të kishte qënë një ditë më parë, më datë 6 Prill 2023 rreth orës 13:00 të drekës dhe që nga ky moment nuk kishte kontaktuar më me të”, ka deklaruar ajo.

Ky parkim i pazakontë i makinës në rrugë, të cilën Leonard Thodhori, e kishte marrë me qira, dhe mungesa e tij e gjatë për të marrë mjetin, u bëri përshtypje edhe banorëve të fshatit Çukë, të cilët mesa duket kishin njohje me të dhe veprimtarinë e tij në zonë.

Por askush nuk mundi të hapë automjetin, për të parë se çfarë kishte ndodhur.

“Në makinë, në pamje të jashtme nuk kishte gjë, ndërsa në kroskot më vonë u gjet patenta, karikuesi dhe ilaçet që përdorte djali. Kjo më bëri të dyshoj më shumë, sepse ai pa ilaçe nuk ikte kurrë”, pohon nëna e tij.

Por ajo që foli e fundit me Leonardin, ishte bashkëshortja e tij, e cila tha për grupin hetues se kontakti i fundit me të shoqin, ishte paraditen e datës 6 prill, kur ai e njoftoi se po kthehej nga spitali, pasi kishte marrë ilaçet.

Por duke qenë se sipas saj Leonardi nuk e kishte për herë të parë që vonohej, ajo nuk i dha rëndësi moskthimit të tij në banesë.

“Për herë të fundit unë kam folur me Leonardin ditën e enjte më datë 6 Prill 2023 rreth orës 11:00 të paradites në ëhats app me video. Ai më tha që kishte marrë ilaçin te spitali dhe po shkonte në shtëpi. Ai po vonohej, por duke qenë se e ka bërë shumë herë këtë veprim, unë nuk i kushtova shumë rëndësi vonesës së tij. Pasi kaluan disa orë unë u shqetësova dhe e mora përsëri në telefon por telefoni dilte i fikur”, deklaron Athina Anastasi.

Pra siç shikohet edhe nga dëshmia e gruas së Leonard Thodhorit, gjithçka dukej në rregull deri në orën 11.00 të datës 6 prill 2023.

Por ndërsa ajo priste që Leonardi të kthehej në banesë, ai nuk u kthye kurrë. Madje fiku edhe telefonin.

E shqetësuar, po sipas saj, pasditen e datës 6 prill, ajo mori në telefon nënën e Leonardit, si edhe motrën e tij, që banojnë në Çukë.

“Pas kësaj unë mora në telefon vjehrrën time dhe kunatën që banojnë në Çukë. Kunata që quhet Leonora Meçani më tha se të enjten në darkë e kishte parë te shtëpia e vjehrrës time dhe të premten në mëngjes se kishte parë më. Unë komunikova me vjehrrën time e cila më tha se të enjten në mëngjes Leonardi kishte qenë te shtëpia me një person me emrin Miri por që nuk dinte me shumë të dhëna”, shprehet Athina Anastasi.

Por ndërsa më 10 prill, nëna e Leonard Thodhorit, iu drejtua policisë për humbjen e të birit, të njëjtën gjë bënë edhe familjarë të Fatmir Sulovarit.

Ai që trokiti në policinë e Sarandës ishte Gëzim Krasniqi, që mban edhe gjeneralitetet Gazmir Pëllumbaj, i cili bëri denoncim për zhdukjen e vëllait të tij, Fatmir Sulovari alias Krasniqi.

Ai ishte edhe mik me Leonard Thodhorin, i njëjti person që kishte qëndruar në një banesë me këtë të fundit, një natë para se të zhdukeshin.

Ndryshe ai njihej me emrin Miri, emri me të cilin nëna e Leonard Thodhorit, i drejtohej mikut që kishte lënë në mëngjes në banesë, bashkë me djalin, para se të nisej te motra e saj.

“Unë jam vëllai i Fatmirit dhe ne kemi humbur kontaktet me të që nga data 7 Prill 2023. Rreth orës 19:20 të kësaj date ne kemi tentuar të lidhemi me të, po kështu dhe më datë 8 Prill, por telefoni ka qënë i mbyllur. Me sa dimë ne Fatmiri nuk ka konflikt me askënd dhe nuk dyshojmë tek asnjeri, pasi ai ishte një tip i qetë dhe shikonte punët e tij”, tregon Gëzim Krasniqi.

Ashtu si nëna e Leonard Thodhorit, edhe vëllai i Fatmir Sulovarit, pohoi përpara grupit hetues, se ata kishin qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit, orët e fundit para se të zhdukeshin në mënyrë të papritur.

“Në komunikimet që kemi pasur me rrethin shoqëror të vëllait, ata na kanë thënë se ai ka qenë me shtetasin Leonard Thodhori. Ne kemi shkuar tek banesa e këtij shtetasi në fshatin Çukë dhe kemi mësuar nga familjarët e tij se dhe Leonardi ka humbur kontaktet me familjen”, deklaron Gëzim Krasniqi.

Sulovari thuhet se ishte një biznesmen pa influencë në qytetin e Sarandës. Ai ishte nga Fieri, por jetonte në Tiranë.

Sipas familjarëve të tij, ai vinte shpesh në qytetin e Sarandës, pasi që prej vitit 2006, ishte pronar i disko ‘El Dorado’. Këtë herë ai kishte mbërritur në qytet, pasi diskoja ishte prishur.

Për këtë arsye ai kishte ardhur aty bashkë me babain e tij, për të kryer shpërnguljen e të gjithë pajisjeve që kishin shërbyer në disko.

Babai i tij, Hasan Krasniqi ishte i fundit që e takoi të birin para se të zhdukej, që konsumoi edhe kafenë e fundit me të, në një nga lokalet e Ksamilit, gjatë datës 6 prill… Momenti kur u ndanë dhe nuk u panë më së bashku.

“Unë jam babai i Fatmir Sulovarit (Krasniqi). Më datë 5 prill 2023, ditën e mërkurë Fatmiri ka qenë në shtëpinë tonë në Fier. Sipas asaj që më tha gruaja ime, ai doli nga shtëpia rreth orës 10.00 për të shkuar në Ksamil. Në të njëjtën ditë edhe unë u nisa në Ksamil me automjetin tim, ku arrita në orën 18.30 në vendin ku Fatmiri kishte pasur diskon, por që tani është prishur.

Ditën tjetër më datë 6 prill unë isha duke u marrë me materialet kur në mesditë aty u afrua një makinë e bardhë, nga ku zbriti Fatmiri. Qëndruam pranë objektit për rreth një orë duke biseduar. Unë i thashë Fatmirit të shkonte të më priste te lokali i Ilirit në qendër të Ksamilit. Pas 30 minutash unë shkova te lokali i Ilirit dhe e gjeta Fatmirin të ulur vetëm dhe u ula me të. Pas rreth 15 minutash aty erdhi edhe një person me emrin Nori dhe biseduam për rreth një orë për objektin që ishte shembur në Ksamil” shprehet Hasan Krasniqi.

Pra sipas babait të Fatmir Sulovarit, takimi i fundit me të birin, ishte mesditën e datës 6 prill 2023, kur ai u pa të largohej në këmbë bashkë me një person të quajtur Nori.

“Unë u ktheva te objekti, ndërsa Fatmiri bashkë me Norin iu drejtuan qendrës së Ksamilit në këmbë. Ky ka qenë dhe momenti i fundit që unë u takova dhe fola me Fatmirin. Ditën e premte pasi mbarova punë me materialet unë u nisa për në Fier dhe mbërrita aty rreth orës 19:00. Ditën e shtunë (8 prill) unë mësova se në Fier kishte ardhur nëna e shokut të Fatmirit për të kërkuar djalin e saj, i cili kishte humbur kontaktet”, thotë Hasan Krasniqi.

Do të ishin këto denoncime, si edhe fakti që dy shtetasit e raportuar si të humbur nga familjarët ishin miq me njëri-tjetrin, por dhe e shkuara e tyre e afërt dhe e largët kriminale, që krijoi mendimin te policia, se ishin përballë një rrëmbimi të dyfishtë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Dyshohet se janë rrëmbyer dhe eliminuar"

Zhdukja e Krasniqit dhe “Koçoles”, zbardhen detajet