MENU
klinika

Tensionet gjatë mbledhjes së kryesisë mbrëmjen e së martës

A do drejtojë zgjedhjet për kreun e PD? Bardhi: Mua s’më bën askush lolo

08.06.2023 - 09:15

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së ka komentuar tensionet gjatë mbledhjes së kryesisë mbrëmjen e së martës. Ai tha se disa kolegë të tij janë ndaluar në dalje të zyrave të partisë nga një grupim personash. Mes tyre, ai tha se kishte arritur të identifikojë edhe një ish-drejtor të Bashkisë së Tiranës.

“Dua të shpjegoj se ka pasur disa lajme të pavërteta, në pjesën e zonjave dhe zotërinjve që kanë qenë jashtë mbledhjes, kanë qenë edhe kryetarë degësh dhe asnjëri prej tyre, sikurse më raporton secili prej kolegëve, nuk ka ushtruar asnjë dhunë verbale ndaj deputetëve apo anëtarëve të kryesisë.

Nuk ka pasur dhunë fizike, por vetëm fyerje dhe sharje për t’i imponuar qëndrimin. Ka qenë një grup i vogël individësh, të cilët unë nuk i njoh, kam evidentuar mes tyre vetëm një ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës, por të tjerët nuk i njoh, por dua të sqaroj që ka qenë një grup i vogël prej këtij grupi që ishte në hollin e selisë që kanë ushtruar dhunë verbale, shantazh, por deri edhe në kërcënime.

Dhe këtë e kam konsideruar si një sjellje prej grupi paramilitar. Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, që lirinë e mendimit e ka në themel dhe një nga parimet kyçe të statutit të saj”, tha Bardhi në një intervistë në A2 CNN.

Vendimi i miratuar nga Kryesia për zgjedhjen e kryetarit të ri brenda 29 korrikut që u mbrojt nga grupi i Bashës, sipas tij është antistatutor dhe nuk mund të zbatohet.

“Së pari është një proces antistatutor, sepse kush e gëzon të drejtën e votës e përcakton statuti i partisë, dhe nëse një anëtar ka ndryshuar parti, pra që është dhe pretendimi që në këto momente ka lëvizje anëtarësie brenda PD, janë kryesitë e degëve ato që mblidhen për të marrë masa disiplinore. Ky nuk mund të jetë vullnet subjekti i një individi.

Në 71 degë të PD vetëm 29 prej tyre kanë kryetar të zgjedhur, 5 kanë kryetar të komanduar dhe pjesa tjetër ka pika kontakti të organizimit të partisë për fushatën, dhe nuk mund të ushtrojnë detyrën e kryetarit të degës.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me komisionin zgjedhor. Nëse ne ecim me komisionin që është në fuqi, mund të shohim që pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga Partia Demokratike zyrtare, dhe janë rreshtuar krah Berishës. Nëse zbatohet sot statuti, zgjedhjet do t’i menaxhojë një komision që kontrollohet nga Berisha. Përpara këtyre rrethanave, procesi do të bie ndesh me statutin”, tha Gazment Bardhi.

“Askush as nuk më imponohet e as nuk më kthen dot në një lolo të interesave të ngushta personale. Dje ka ndodhur mbledhja, po zbardhet vendimi, nuk jam njohur me një vendim të zbardhur dhe nuk kam qenë prezent kur është votuar, sapo të njohëm, do të ndërmarrë të gjitha hapat”, tha Bardhi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Përdorin grupe të fortësh për të hyrë në selinë e PD"

Edhe Dash Sula sulmon Bashën: Turp i atyre që nuk kanë ikur asnjëherë