MENU
klinika

Analiza

A po bën gabim bota që pret shumë nga Erdogan?

08.06.2023 - 08:30

Nga Galip Dalay “Chattam House

Pas rizgjedhjes së tij në detyrë, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka shpallur kabinetin e tij, dhe ai është pritur në përgjithësi mirë si brenda vendit ashtu edhe arenën ndërkombëtare. Ministri i ri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, është një ish-drejtues i spiunazhit, që e ka transformuar shërbimin sekret në vend, dhe ka qenë një nga arkitektët kryesorë të aktivizmit të saj gjeopolitik.

Ministri i ri i Financave është ish-ekonomisti i Merrill Lynch, Mehmet Simsek, ka një qassje miqësore ndaj tregut. Që të dy janë me përvojë, figura të vlerësuara dhe me marrëdhënie të ngushta pune me homologët e tyre ndërkombëtarë. Një tjetër emër me përvojë ekonomike, Cevdet Yilmaz, do të shërbejë si zëvendëspresident.

Tani duket se do të bëhet më e spikatur korniza ekonomike e politikës së jashtme të Turqisë.

Këto emërime sinjalizojnë se do të ketë një lidhje të ngushtë midis politikës së jashtme dhe asaj ekonomike të Turqisë. Ndërsa gjatë dekadës së fundit, konsideratat gjeopolitike, të sigurisë dhe politike diktuan politikën e jashtme turke, kuadri ekonomik duket se do të bëhet më i spikatur.

Shumë shtete në Lindjen e Mesme, po përpiqen të mbushin hendekun midis aspiratave të tyre gjeopolitike dhe nevojave ekonomike. Kjo është veçanërisht e ngutshme për Turqinë, pasi ajo po përjeton një rënie ekonomike të fortë.

Për të adresuar problemet e saj ekonomike, Ankaraja ka të ngjarë të nisë një mision për të gjetur para dhe investime:vendet e Gjirit Persik, Rusia dhe Kina mund të ofrojnë para pa masë. Ose ajo mund t’i drejtohet Perëndimit, por kjo ndihmë do të vinte me një sërë kushtesh.

Duke sfiduar narrativën e thjeshtë pro apo anti-perëndimore, këto emërime sugjerojnë se ndërsa Turqia do të mbetet e fokusuar tek vetja, do të vazhdojë të ndjekë autonominë në politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë, dhe do të synojë forcimin e statusit të saj në çështjet ndërkombëtare, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të jetë kundër Perëndimit.

Përkundrazi, kabineti i ri sinjalizon një përpjekje për të menaxhuar me më shumë shkathtësi dallimet dhe mosmarrëveshjet. Turqia përfaqëson një prirje kyçe në politikën globale, ku fuqitë rajonale kërkojnë dhe marrin një rol më të madh në çështjet rajonale, kanë më shumë autonomi në politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë, dhe një status më të madh në çështjet ndërkombëtare.

Krahasuar me fuqitë e tjera rajonale, si Brazili, Afrika e Jugut dhe Arabia Saudite, Turqia ka dy tipare dalluese.

Së pari, ajo është një anëtare e NATO-s, gjë që e bën më të kontestueshëm aktin e saj balancues gjeopolitik dhe kërkimin për autonomi.

Së dyti, është një shtet post-perandorak, ku është shumë e popullarizuar ideja e madhështisë në çështjet ndërkombëtare. Në fakt, kjo përmasë luajti një rol kyç në narrativën e Erdoganit në fushatën e fundit zgjedhore.

Elitat në Ankara besojnë se zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare të dekadës së fundit – sidomos që nga pushtimi rus i Ukrainës – vërtetojnë supozimin dhe premisën e politikës së jashtme të Turqisë,, se politika e sotme globale nuk është dhe aq e përqendruar në Perëndim si më parë, edhe pse nuk është domosdoshmërisht post-perëndimore.

Kjo politikë, është diktuar në mënyrë disproporcionale nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, e cila është për Ankaranë një mikrokozmos në ndryshimet e mëdha strukturore në rendin global, duke e theksuar rëndësinë dhe praninë relativisht të reduktuar të SHBA-së në rajon, si dhe rëndësinë në rritje të aktorëve rajonalë.

Ndërkohë, është rritur roli i Rusisë në sigurinë rajonale si dhe rëndësia ekonomike e Kinës. Turqia dhe Rusia kanë punuar së bashku mbi menaxhimin e konfliktit rajonal në Siri, Libi dhe Nagorno-Karabakh, madje edhe në Detin e Zi, një proces i rëndësishëm që ka dhënë shumë leksione për Ankaranë.

Pushtimi i Ukrainës ka qenë një tjetër proces me shumë leksione.

Për hidhërimin e Perëndimit, shumë vende jo perëndimore janë përfshirë në një sjellje gjeopolitike të balancuara, përfshirë disa nga partnerët e tij tradicionalë, si India, Arabia Saudite, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nga ana e saj, Turqia ka ndjekur dy politika të ndërlidhura, duke u përpjekur të jetë pro-Ukrainase pa u bërë kundër Rusisë. Ajo siguroi që në fillim pajisje mbrojtëse për Ukrainën, duke përfshirë dronët e armatosur. Lufta po zhvillohet në Detin e Zi dhe Turqia është një fuqi e madhe e Detit të Zi, së bashku me Rusinë dhe Ukrainën.

Nëse Moska e anon balancën e fuqisë në favor të saj, kjo do të përbëjë një kërcënim afatgjatë për Turqinë, dhe do të zvogëlojë hapësirën e saj të manovrimit në rajon. Megjithatë, kur flitet mbi përballjen midis Rusisë dhe Perëndimit, Ankaraja ndjek një akt balancues gjeopolitik dhe nuk do t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare.

Turkish President Tayyip Erdogan greets members of the parliament and guests as he arrives to take his oath after his election win in Ankara, Turkey, June 3, 2023. REUTERS/Umit Bektas

Deri tani kjo qasje i ka shërbyer mirë Ankarasë, dhe e ka lejuar Turqisë të luajë disa role. Kështu ajo luan një rol diplomatik duke u përpjekur të ndërmjetësojë konfliktin, një rol humanitar duke lehtësuar marrëveshjen e grurit së bashku me Kombet e Bashkuara (OKB) dhe një rol gjeopolitik duke kontrolluar kalimin nga dhe drejt Detit të Zi përmes ngushticave turke.

Akti i saj balancues, ka garantuar gjithashtu një fluks të qëndrueshëm të parave dhe turistëve rusë në Turqi. Duke pasur parasysh përfitimet e shumta, kjo politikë nuk ka gjasa të ndryshojë. Por nga ana tjetër nuk ka të ngjarë të zgjidhen çështjet themelore në marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin.

Aktualisht ka një hendek serioz midis Turqisë dhe SHBA-së në leximin e politikës globale dhe perceptimeve të lidhura me kërcënimin. Konkurrenca e fuqive të mëdha dikton kornizën aktuale gjithëpërfshirëse të politikës ndërkombëtare dhe informon perceptimin e sigurisë që ka SHBA-ja dhe Perëndimi.

Megjithatë, një rivalitet i tillë do të thotë gjithashtu se ekzistojnë qendra të shumta pushteti, të cilat Turqia i sheh si një mundësi kyçe për të fituar ndikim. E ardhmja e marrëdhënieve të Turqisë me Perëndimin, do të përcaktohet pikërisht nga kjo konkurrencë dhe nga natyra e marrëdhënieve të Turqisë me Rusinë dhe Kinën.

Shumë jetike do të ishte nëse Ankaraja do të blejë sërish armë ruse dhe do të bashkëpunojë me Kinën në fushën e teknologjive të ndjeshme. Por ka edhe çështje të tjera kyçe që i japin formë kësaj marrëdhënieje.

E para është çështja e hyrjes së Suedisë në NATO, të cilën Turqia, po e bllokon duke e justifikuar me qasjen sipas saj të dobët të Stokholmit ndaj terrorizmit. Suedia miratoi më 1 qershor një anti-terror më të fortë sesa ligji i kaluar nëntorin e vitit të kaluar.

Në rast se kjo mosmarrëveshje do të zgjidhet në samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik në Vilnius, kjo mbetet për t’u parë. Por ajo ka të ngjarë të zgjidhet në një të ardhme jo shumë të largët.

E dyta është çështja e zinxhirëve të furnizimit global, e nxjerrë në pah nga pandemia e Covid-19, pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe rivaliteti i fuqive të mëdha. Me bazën e saj të madhe të prodhimit dhe në cilësinë e anëtares së G20-ës dhe Unionit Doganor të BE-së, Turqia shpreson të përfitojë sa më shumë nga ristrukturimi i zinxhirëve të furnizimit.

Megjithatë, aftësia e saj për ta bërë këtë nuk do të varet vetëm nga ekonomia, por edhe nga shëndeti i marrëdhënieve të Turqisë me Evropën dhe Perëndimin. Nëse do të rritet roli i Turqisë në zinxhirët e furnizimit të Evropës, kjo do ta afrojë më tej Turqinë në ekosistemin ekonomik perëndimor.

Galip Dalay, bashkëpunëtor i think-tankut britanik  “Chattam House” në programin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s