MENU
klinika

Me një kusht...

Albin Kurti i gatshëm për zgjedhje të reja në veri

03.06.2023 - 09:45

Kryeministri Albin Kurti ka thënë mbrëmjen e djeshme se pajtohet me partnerët ndërkombëtarë për zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës, por së pari, shtoi ai, duhet që bandat e mbështetura nga Beogradi të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë.

Në një intervistë për televizionin amerikan NBC, Kurti është shprehur se detajet për zgjedhjet e reja do të diskutohen me të dërguarit e posaçëm, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, të cilët do të vizitojnë Kosovën në javën e ardhshme.

“Nuk e mohoj mundësinë për zgjedhje të reja, por drejtësinë së pari duhet ta vendosim në vend. Njëherë duhet të dalin para drejtësisë bandat në veri. Për de-eskalim, bandat e dhunshme duhet ose të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë dhe pastaj mund të kemi zgjedhje të parakohshme”, ka thënë kryeministri Kurti.

“Javën e ardhshme, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe ne do t’i diskutojmë detajet. Edhe unë besoj në zgjedhje të parakohshme, por na duhen edhe rendi e ligji së pari”, është shprehur ai.

Albin Kurti ka thënë se kryetarët shqiptarë që kanë fituar në komunat veriore kanë legjitimitet të ulët, por janë të ligjshëm.

“Kryetarët që kanë fituar komunat, kanë legjitimitet të ulët për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Ne kemi ftuar qytetarët për të votuar, por Beogradi i ka shantazhuar. Duhet ta ndalojmë Beogradin që të mos i bullizojë serbët e Kosovës”, vijoi kryeministri i Kosovës për median amerikane NBC.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve

Kurti: Nëse nuk e zgjedhim Presidentin, shkojmë në zgjedhje