MENU
klinika

"Sulme edhe për ngjyrat e bluzave të mia.."

Basha me të rinjtë: S’do diskutojmë mbi emrat e përveçëm, do luftoj me ju

03.06.2023 - 13:16

Deputeti i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndarë pamjet nga takimi me të rinjtë në kryeqytet. Ai shprehet se të rinjtë kaë nevojë për hapësirën e tyre që të shpalosin potencialin dhe ambiciet e tyre. Po ashtu, Basha thekson se pjesë e diskutimit të tij nuk do jenë emrat e përveçëm, por idetë që bashkëndajnë për mënyrën sesi duhet të ndryshojë ky realitet politik.

Më tej, deputeti përsërit se do luftojë për listat e hapura, për vettingun në Politikë për kufizimin e mandateve të kryeministrit dhe për votën e emigrantëve.

POSTIMI I BASHËS:

Kënaqësi të bashkëbisedoja me të rejat dhe të rinjtë e Degës 14 në Tiranë. Dëgjova me vëmendje shqetësimet dhe propozimet e tyre dhe ndava me ta platformën për ndryshimet themelore që i nevojiten vendit, për të krijuar hapësirën e domosdoshme që rinia të shpalosë potencialin dhe ambiciet e saj. Të rinjtë, si shumica e qytetarëve, e refuzojnë sistemin politik që ka vrarë garën, konkurrencën dhe llogaridhënien.

Për këtë arsye, debati që kemi nisur mbi platformën për ndryshim, na bashkon me gjithë shoqërinë, e cila kërkon që zëri i saj të dëgjohet dhe është gati për një ndryshim rrënjësor të politikbërjes. Fokusi i të cilës duhet të jenë problemet e qytetarëve, jo hallet e pak politikanëve.

Diskutimi që kemi nisur nuk është mbi emrat e përveçëm, por mbi idetë që bashkëndajmë për mënyrën sesi duhet të ndryshojë ky realitet i mbrapsht politik. Ndaj, sado banale të jenë sulmet nga ata që kërkojnë t’i ikin debatit, duke u marrë me ngjyrat e bluzave të mia, nuk e prekin vendosmërinë time për të luftuar bashkë me ju për listat e hapura, për vettingun në politikë, kufizimin e mandateve për kryeministrin dhe votën për bashkëqytetarëve tanë në emigrim. Pa çliruar sistemin politik, nuk mund të kemi një ekonomi të fortë që garanton mundësi për të gjithë. Kthimi i vendimmarrjes te qytetarët është rruga e vetme që shpresa të kumbojë sërish në Shqipëri!