MENU
klinika

Sezoni turistik në Durrës

Bashkia monitoron sigurinë dhe hapësirat publike në plazhe

01.06.2023 - 12:28

Durrësi pret një tjetër sezon të suksesshëm turistik këtë vit, ndaj përgatitjet, të cilat për shkak të paqëndrueshmërisë së motit dhe zgjedhjeve vendore u shtynë në kohë, po vijojnë me ritme të larta.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ndoqi nga afër procesin e pastrim-plugimit të rërës duke premtuar një sezon të suksesshëm dhe shërbime më të mira për pushuesit.

“Këtë vit po përgatitemi që të kemi një sezon shumë të mirë turistik. Nga informacionet që kemi nga operatorët por edhe nga subjektet që sjellin të huaj në Shqipëri rreth 80% e hoteleve të vijës së parë të qytetit janë të prenotuara”, tha Sako.

Monitorim të veçantë do të ketë siguria dhe respektimi i hapësirave për plazhet publike.

Në lidhje me shqetësimin e ngritur nga shoqata e turizmit në Durrës për konkurrencën e pandershme, kryebashkiakja Sako u shpreh se situata është në vlerësim e sipër, pasi tregu turistik është gjithnjë në rritje.

“Do monitorojmë çdo ditë territorin në më mënyrë që ky raport të zbatohet. Pjesa që ka intesitetin më të madh të lëvizjes dhe turizmit është pjesa e plazhit dhe e Shkëmbit të Kavajës por hapësira publike kemi caktuar edhe në Gjirin e Lalzit dhe Sektorin Rinia”, shtoi Sako.

Edhe këtë sezon turistik, parkimi në plazhe do të jetë falas.

“Në plazh tarifat e parkimeve janë zero, pra parkime do të jenë pa pagesë. uljen e kësaj tarife e ka kërkuar kryesisht biznesi”, tha kryebashkiakja.

Punimet për sistemimin e plazhit janë mirëpritur nga pushuesit.

‘Është shumë mirë, po punohet por nuk ka problem pasi është fillimi i sezonit. Jemi nga Gjermania dhe prej 5 vitesh shkojmë në Vlorë. Hera e parë në Durrës”, tha një turiste.

“Duam të paktën vend të vejmë çadrën se jemi pensionistë. Banor prej 50 vjetësh këtu në plazh e mos kemi vend për çadrën.”

“Shumë mirë. Shpresojmë tani të bëhet akoma më mirë.”

“Këtë vit më pëlqen shumë. Më bëhet qejfi dhe për këto punimet që po bëhen. Kemi ardhur për 2 javë nga Italia dhe po kënaqemi.”