MENU
klinika

Vendimi pas uljes së çmimit të naftës dhe gazit

Britani pezullon “taksën surprizë”?

10.06.2023 - 11:34

Taksa “surprizë” për kompanitë e naftës dhe gazit do të pezullohet nëse çmimet bien në nivele normale për një periudhë të qëndrueshme. Deklarata është bërë nga qeveria britanike e cila sqaron se pezullimi i saj do të ulte normën e përgjithshme tatimore për firmat e energjisë nga 75% në 40%.

Një taksë ‘surprizë’ aplikohet tek kompanitë që përfitojnë nga diçka për të cilën nuk janë përgjegjëse. Taksa në fjalë u vendos një vit më parë për të ndihmuar në financimin e një skeme për uljen e faturave të energjisë për familjet dhe bizneset.

Fitimet e firmave energjetike janë rritur së fundmi, fillimisht për shkak të rritjes së kërkesës pas heqjes së kufizimeve për Covid, dhe më pas për shkak se pushtimi rus i Ukrainës rriti çmimet e energjisë. Por çmimet e naftës dhe gazit tani kanë rënë nga nivelet e tyre më të larta.

Në një deklaratë për mediat, zyra e thesarit tha se taksa surprizë do të mbetet në fuqi deri në mars 2028, por se norma e taksës do të bjerë nëse çmimet mesatare të naftës dhe gazit bien në ose nën një nivel të caktuar për dy periudha tre mujore radhazi.

Niveli është vendosur në 71.40 dollarë për fuçi për naftën dhe 0.54 paund për gazin.

Firmat energjetike u kanë kërkuar ministrave të ulin taksën e papritur, duke paralajmëruar se kjo po i bënte kompanitë të tërhiqnin investimet.

Në prill, prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit në Mbretërinë e Bashkuar, Harbour, tha se do të largonte 350 punonjës si rezultat i taksës. Gjigandi francez i naftës TotalEnergies tha gjithashtu se do të reduktonte investimet e tij të planifikuara për vitin 2023 në Detin e Veriut me një të katërtën – 100 milion paund- për shkak të zgjerimit të taksës.