MENU
klinika

Analiza

Ç’do të ndodhë me SHBA-në nëse Trump rikthehet si president?

03.06.2023 - 08:30

Teksa po nis sezoni i fushatës paraprake presidenciale vitit 2024 në SHBA, gara finale më e mundshme është një revansh i bujshëm midis presidentit Joe Biden dhe Donald Trump.

Gjykuar nga harta elektorale të vitit 2020, Biden duket i mirë-pozicionuar për të fituar sërish.

Por politika amerikane është e paparashikueshme dhe çdo lloj surprize në aspektin shëndetësor, ligjor apo ekonomik mund të ndryshojë këndvështrimin. Prandaj, shumë miq të huaj më kanë pyetur se çfarë do të ndodhte me politikën e jashtme amerikane nëse Trump do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.

Pyetja ndërlikohet nga fakti se vetë Trump është i paparashikueshëm. Presidenca ishte posti i tij i parë politik, dhe prejardhja e tij u përkthye në një stil politik shumë jo tradicional. Suksesi i tij si një yll i televizionit, nënkuptonte se ai ishte gjithmonë i fokusuar në mbajtjen e vëmendjes së kamerave.

Dhe e bënte këtë jo rrallë me deklarata që ishin më shumë skandaloze sesa të vërteta, dhe duke thyer normat konvencionale të sjelljes. Trump mendonte se mund të shfrytëzonte pakënaqësinë e një pjese të amerikanëve duke dënuar efektet e pabarabarta ekonomike të tregtisë globale dhe nxitur pakënaqësi ndaj emigracionit dhe ndryshimin kulturor, sidomos midis meshkujve të bardhë të moshuar dhe pa arsim universitar.

Me një fluks të vazhdueshëm deklaratash populiste, proteksioniste dhe nacionaliste, ai fitoi një mbulim mediatik po aq të vazhdueshëm. Në vitin 2016, shumë analistë prisnin që Trump të zhvendosej në qendër për të zgjeruar mbështetjen e tij, siç do të bënin shumica e politikanëve normalë.

U.S. President Donald Trump tosses out “Make America Great Again” (MAGA) caps as he arrives for a campaign rally at Oakland County International Airport in Waterford Township, Michigan, U.S., October 30, 2020. REUTERS/Carlos Barria

Por në vend të kësaj, ai vazhdoi të luante me bazën e tij besnike, të cilën e përdori kundër

çdo anëtari të kongresit të partisë së tij që guxonte ta kritikonte apo kundërshtonte. Ata republikanë që e kundërshtuan hapur, prireshin që të humbnin zgjedhjet e tyre paraprake ndaj sfiduesve të mbështetur nga Trump.

Rrjedhimisht, Trump ka vendosur nën një kontroll thuajse të plotë Partinë Republikane. Gjithsesi, në zgjedhjet e 2020-ës, fokusi i tij tek e djathta ekstreme, mund t’i ketë kushtuar mbështetjen e disa republikanëve të moderuar dhe të pavarurve në shtetet kyçe.

Si president, Trump ishte i ndryshëm nga të gjithë paraardhësit e tij. Shpeshherë ai shpallte politika të reja madhore (apo shkarkimin e sekretarëve të kabinetit) nëpërmjet postimeve të tij në Twitter, dhe me sa duket kjo sjellje ishte e qëllimshme.

Për këtë arsye, administrata e tij u karakterizua nga ndryshime të shpeshta në personelin e lartë dhe nga mesazhe politike kontradiktore, kur presidentin nënvlerësonte vazhdimisht zyrtarët e tij të lartë. Megjithatë atë që e humbi në koherencën organizative, ai e kompensoi me dominimin e tij pothuajse të plotë të axhendës.

Paparashikueshmëria ishte një nga mjetet më të fuqishme politike të Donald Trump. Përderisa Trump ka mbajtur në thelb pikëpamje politike, ato janë shumë eklektike sesa tradicionalisht republikane.

Ai ka shprehur prej kohësh opinione proteksioniste për tregtinë, dhe e ka kanalizuar pakënaqësinë e nacionalistëve, duke pretenduar se aleatët e Amerikës po përfitojnë prej saj. Ai e ka sfiduar hapur konsensusin e pas vitit 1945 mbi rendin ndërkombëtar liberal dhe e ka shpallur NATO-n të vjetruar.

Kjo bëri që John Bolton, një nga ish-këshilltarët e tij për sigurinë kombëtare, të shqetësohet se ai mund ta tërheqë SHBA-në nga aleanca nëse do të ri-zgjidhej për një mandat tjetër. Dhe lidhur me këtë, Trump premtoi kohët e fundit se do të “përfundojë procesin që filluam nën administratën time të rivlerësimit rrënjësor të qëllimit të NATO-s”.

Si president, Trump u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe braktisi Partneritetin Trans-Paqësor që kishte negociuar presidenti Barack Obama. Ai e dobësoi Organizatën Botërore të Tregtisë; vendosi tarifa për importet e çelikut dhe aluminit nga vende aleate; nisi një luftë tregtare kundër Kinës; u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Iranit; kritikoi G7; dhe vlerësoi liderët autoritarë, me të dhëna të njohura për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Po ashtu ishte veçanërisht i butë në marrëdhëniet e tij me presidentin rus Vladimir Putin dhe skeptik për mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën. Sondazhet tregojnë se fuqia e butë e Amerikës ra ndjeshëm gjatë viteve të presidencës Trump.

Megjithëse postimet në Twitter mund të ndihmojnë në vendosjen e një axhende globale, toni dhe thelbi i tyre mund të ofendojnë vendet e tjera. Donald Trump i kushtoi shumë pak vëmendje respektimit të të drejtave të njeriut, dhe fjalimet e tij u ndalën vetëm shkurtimisht tek parimet demokratike që ka përqafuar çdo president që nga Jimmy Carter dhe Ronald Reagan.

Edhe kritikët që fillimisht e duartrokitën pozicionin më të ashpër të Trump ndaj Kinës, e fajësuan atë për mos-bashkëpunimin me aleatët për t’iu përgjigjur sjelljes së Pekinit. Për më tepër, Trump i reduktoi avantazhet që Amerika ka gëzuar prej kohësh si një udhëheqëse kryesore brenda institucioneve globale.

Atëherë, çfarë do të ndodhte me një mandat të dytë të Trump? Kujtojmë se para zgjedhjeve të vitit 2016, 50 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare nënshkruan një deklaratë duke paralajmëruar se: “Një president duhet të jetë i disiplinuar, të kontrollojë emocionet dhe të veprojë vetëm pas reflektimit dhe diskutimit të kujdesshëm …

Trump nuk zotëron asnjë nga këto cilësi jetike. Ai nuk inkurajon asnjë pikëpamje të kundërt me të tijën. Atij i mungon vetëkontrolli dhe vepron më mënyrë instiktive. Ai nuk i duron dot kritikat personale. Dhe i ka alarmuar aleatët tanë më të afërt me sjelljen e tij të çrregullt”. Kur Trump fitoi zgjedhjet, këta kritikë u përjashtuan nga çdo lloj posti në administratën e

tij, gjë që ka të ngjarë të ndodh përsëri. Si një udhëheqës politik i vendosur në grumbullimin e sa më shumë pushteti rreth vetes, Trump ka treguar qartazi se është i aftë ta bëjë këtë. Por temperamenti i tij në qeverisje, ka treguar se atij i mungon inteligjenca emocionale që ndihmoi dikur në suksesin e presidentëve si Franklin D. Roosevelt dhe George H.W Bush.

Siç tha në një rast Tony Schwartz, autori i autobiografisë së Trump: “Që herët, unë e kuptova se ndjenja e vetëvlerësimit të Trump përbën gjithmonë një rrezik.

Kur ndihet i mërzitur, ai reagon në mënyrë impulsive dhe hidhet në pozita mbrojtëse, duke ndërtuar një histori vetë-justifikuese e cila nuk varet aspak nga faktet …Trump nuk shfaq emocione apo interesa për të tjerët … Një pjesë kyçe e qasjes së tij,  është se faktet janë vetëm ato që Trump i konsideron të jenë të tilla në një ditë të caktuar”.

Si president, nevojat personale të Trump shtrembëronin shpeshherë motivet e tij dhe ndërhynin në objektivat e politikës së tij. Po ashtu, temperamenti vullkanik i Trump e kufizoi inteligjencën e tij kontekstuale. Ndërsa mungesa e përvojës së tij në qeverisje dhe në lidhje me çështjet ndërkombëtare e bëri atë më pak të kualifikuar se sa shumica e paraardhësve të tij, ai nuk tregoi më pas thuajse asnjë interes për të mbushur boshllëqet në njohuritë e tij.

Akoma më keq: nevoja e tij e vazhdueshme për të treguar aftësitë e pretenduara personale, e çoi drejt zgjedhjeve të politikave të gabuara, që i dobësuan aleancat amerikane. Për shembull, pas takimeve të tij në vitin në 2018 me Vladimir Putinin dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Duke gjykuar nga sjellja e Trump si ish-president, duket se nuk ka ndryshuar asgjë. Ai nuk është i gatshëm ta pranojë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, dhe fushata e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ka risjellë në vëmendjen e publikut deklaratat ekstreme që e mobilizojnë bazën e tij të mbështetësve më besnikë. Nëse do të ketë sërish sukses si në vitin 2016, e vetmja veçori e parashikueshme e politikës së jashtme të SHBA-së do të jetë paparashikueshmëria.

Joseph S.Nye Jr, profesor në Universitetin e Harvardit dhe ish-ndihmës Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së.