MENU
klinika

"Veprimet janë kryer sipas ligjit"

DASH mbështet aksionin e policisë në Manëz

21.06.2023 - 09:25

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka përkrahur aksionin policor të ushtruar ditën e djeshme në kampin e MEK në Manëz të Durrësit.

Në reagim thuhet se Policia e Shtetit i ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri.

“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Zëdhënësi i DASH-it gjithashtu shtoi se SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un si lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian, por ka shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij.

Sipas njoftimit, Policia e Shqipërisë tha se kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha se vdekja e një personi brenda MEK-ut, të martën, nuk ka asnjë lidhje me veprimet e policisë.

I pyetur nëse fshihen iranianët e MEK-ut pas sulmeve kibernetike që u kryen në korrik të vitit të kaluar, që çuan në prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin, ministri Çuçi refuzoi të përgjigjej.

Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Por, zëdhënësi i DASH-it ka theksuar se SHBA-ja nuk ofron mbështetje apo trajnime për MEK-un dhe nuk kontribuon në financimin e kësaj organizate.

Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.

Ndërkaq një vit më parë u anulua, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit./ REL