MENU
klinika

“Vijon serinë e shpalljes së armiqve“

Enkelejd Alibeaj sulmon Berishën: I zhytur në mjerimin e mungesës së shpresës

09.06.2023 - 15:13

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha, pas deklaratave që ky i fundit ka bërë në konferencën e sotme për mediat. Ai e konsideron Berishën humbës të zgjedhjeve dhe që tashmë i zhytur në “mjerimin e mungesës së shpresës” vijon serinë e shpalljes së armiqve.

“Humbësi i zgjedhjeve të 14 majit ka vijuar dhe sot serinë e përsëritjes së justifikimeve bajate që nuk ja hanë më as kandidatët dhe as besnikët e tij. I zhytur në mjerimin e mungesës së shpresës dhe alternativës, Sali Berisha vijon serinë e shpalljes së armiqve me shpifjet e zakonshme dhe banalitetin konstant, për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai.

I dëshpëruar por i palodhur nga përpjekja për të përçarë PD, i rrënuar moralisht por i paepur në përpjekjen për të mbajtur peng një pjesë të demokratëve, me ligësinë e dikujt që koha dhe veprat ia kanë shkruar fundin e palavdishëm, ndaj Sali Berishës ka vetëm një zgjidhje: të largohet i braktisur dhe të heshtë duke marrë me vete edhe atë fije dinjiteti, nëse i ka mbetur.

Kështu demokratët do të fitojnë mundësinë për të qenë alternativë e re për shqiptarët. Duke lënë pas të shkuarën dhe pa ngarkesat e korrupsionit familjar dhe të shpurës së tij, pesha e të cilave i shërbejnë veçse Ramës e të ngjashmëve të tij për ta mbajtur gjallë në politikë dhe që i kanë lënë demokratët në opozitë”, shkruan deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.