MENU
klinika

Tensionet në mbledhjen e kryesisë së PD

Gjekmarkaj: Ky është portreti i vërtetë i Lulzim Bashës, jo ai që qesh

07.06.2023 - 18:42

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, e ka quajtur të trishtë situatën e krijuar ditën e djeshme në mbledhjen e kryesisë së PD, e cila u shoqërua me tensione të shumta.

Gjekmarkaj u shpreh në një intervistë në Panorama TV se portreti i vërtetë i Lulzim Bashës përfaqësohet nga ata që kërcënuan gazetarët dhe deputetët, dhe jo ai që kemi parë në gjithë këto vite duke qeshur. Ai e konsideroi Bashën simbol të humbjeve në PD.

“Më duket vërtetë një gjë shumë e trishtë. Më ngjan sikur kuvendi i Kosovës në vitin 1990 që votonte për heqjen e autonomisë dhe jashtë ishte e rrethuar me trupat serbe. Si ka mundësi pas 32 vitesh demokraci politika të degjenerojë në të tilla skena.

E them në një habi të plotë sepse nuk e mendoja kurrë se mund të shkohej deri aty që të fyheshin deputetët dhe gazetarët nga mbështetësit e atij që pretendon të sjellë politikën e re. Është modeli i diçkaje që duhet ta lëmë pas. Ky është portreti i vërtetë i Lulzim Bashës të cilin ne e kemi mbështetur. Është koha t’i kërkojmë falje shqiptarëve për çdo fjalë të mirë që kemi thënë për të. Unë ende e kam të vështirë të besoj që kemi arritur në këtë pikë.

Dhamë një shfaqje të turpshme. Kjo qenka fytyra e vërtetë e zotit Basha, jo ajo që qesh. Por rrethohet nga halabakë. Dhe tani i përdor si kamxhikë ndaj deputetëve dhe njerëzve që mendojnë ndryshe. Vendimi i asaj kryesie është nul. Nuk vlen asgjë. Vendimet e saj nuk kanë ndonjë vlerë shumë të madhe. Unë jam i distancuar nga dy grupet e Partisë Demokratike. Por ky grup i vulës mund të bënte një shërbim që të pengonte”, u shpreh ai.

Megjithatë ai theksi se Berisha dhe Basha nuk mund ta bashkojnë PD-në, pavarëshyt se ish kryeministri është i fuqishëm edhe mund të konsiderohet një makinë elektorale që mbledh shumë vota pas vetes, por jo mjaftueshëm sa për të sjellë PD në pushtet.

“PD ka nevojë për një reflektim dhe zëra të arsyeshëm me vullnetin që të krijohen kushte për ta çuar partinë drejt një kongresin pajtimi. Unë e kam këtë bindje që qoftë Berisha apo Basha nuk janë më ata që e bashkojnë PD. Pavarësisht se Berisha është i fuqishëm edhe është një makinë elektorale. Ka shumë vota nga pas por jo mjaftueshëm për të çuar PD drejt fitores. Në qoftë se këta dy emra nuk mbesin te e kaluara do jetë vetë PD që do të jetë një kujtim i të kaluarës.

Do kemi një grup mesatar të drejtuar nga Sali Berisha dhe një grup shumë të vogël, të marrë me forcë nga zoti Basha. Nuk mund të ketë demokraci nëse nuk ka një opozitë të vërtetë vendi. Basha nuk ka asnjë moral dhe asnjë etikë për t’u kthyer. Është simbol i humbjeve të Partisë Demokratike. Ai pati një PD të madhe dhe të bashkuar. Tani falë edhe kontributit të tij kemi një PD të përçarë. Shpresoj t’i ketë mbetur një fije arsyeje që të kthehet dhe të mos i çojë drejt konflikteve të panevojshme deputetët. Të shkojë menjëanë atje ku i takon të jetë”, deklaroi ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Fakti që merren me detaje do të thotë që u ka hyrë frika”

Basha: Nuk mund të mundim të keqen me mjetet e saj. Boll me kultin e individit