MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Hemofilia, si mund ta mbajmë nën kontroll

27.06.2023 - 09:20

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Hemofilia, si mund ta mbajmë nën kontroll?

Mjeku: Hemofilia është çregullim i lindur i koagulimit të gjakut, i mpikjes së tij. Pra personat që vuajnë këtë sëmundje nuk kanë një mpiksje të mirë të gjakut dhe kjo bën që ata të kenë hemorragji dhe gjakrrjedhje sa herë që pësojnë ndonjë aksident, heqin dhëmballë etj.

Sa tipe të hemofilisë kemi?
Janë dy lloje të hemofilisë. Është mungesa e faktorit 8, hemofilia A, ose ajo që quhet hemofilia klasike por kemi edhe mungesën e faktorit 9 ose hemofilia B. Gjithashtu është edhe hemofilia C, ose mungesa e faktorit 11, por kjo nuk është shumë e përhapur. Format e sëmundjes janë : e lehtë, e mesme dhe e rëndë, ose formë e shprehur.

Cilat janë shenjat e tyre?
Format e shprehura shkaktojnë hemorragji qoftë edhe nga një stres apo thjesht një shëtitje. Forma e mesme ka pothuajse të njëjtat shenja por ka nevojë për më pak mjekim. Format e lehta shfaqen vetëm në raste të veçanta, për shembull kur heq një dhëmballë apo kur kryen një ndërhyrje kirurgjikale.

Si trashëgohet kjo sëmundje?
Kjo është një sëmundje që trashëgohet nga nënat dhe është një sëmundje që të shoqëron gjatë githë jetës. Femrat janë bartëse të kësaj sëmundjeje ndërsa meshkujt janë ata që e vuajnë. Vetë personat hemofilikë lindin djem të shëndetshëm ndërsa vajzat kanë mundësi të jenë bartëse të kësaj sëmundje.

Si trajtohet hemofilia?
Hemofilia trajtohet me faktor antihemofilik, faktor 8 ose 9. Pra trajtohet me atë faktor që mungon. Trajtohet edhe me produkte të gjakut si plazma, në rastet kur nuk është e mundur trajtimi me faktorin që mungon.

Në rast të mungesës së kurimit mund të shkaktojë kjo sëmundje humbje të jetës?
Në rast se nuk i sigurohet të sëmurit faktori që atij i mungon, po, mund të vdesë. Një tjetër pasojë e kësaj sëmundje është se personat që nuk kurohen, invalidizohen. Shpesh kanë probleme në vendet që kanë artikulacione, te gjunjtë, bërrylat, kyçet etj. Në rast se bëjnë mjekim hemofilikët bëjnë një jetë fare normale.

Sa persona e vuajnë hemofilinë në vendin tonë?
Në Shqipëri janë afërsisht 300 pacientë. Të rregjistruar janë 287, duke krijuar një raport 1 i sëmurë në 10 mijë persona.

Në çafë moshe shfaqet për herë të parë hemofilia?
Shfaqet që në moshë të hershme. Shfaqen që në muajt e parë të fëmijëve, që kur bëjnë vaksinën e parë. Kemi pasur raste të ndryshme të fëmijëve 3 apo 4 muajsh që kanë pasur hematoma në trup.

Çfarë ndihmese do të japë Qendra e Kombëtarë e Hemofilisë për pacientët që vuajnë këtë sëmundje?
Hapja e kësaj qendre është një arritje e madhe. Hapja e saj vjen paralel edhe me  ardhjen e faktorit hemofilik. Pa të kjo qendër nuk do të kishte vlerë. Pacientët do të jenë më të përqëndruar dhe nuk do të shkojnë nëpër pavione për tu kuruar. Përveç rasteve të rënda që kërkojnë shtrim, rastet e tjera mund të mjekohen fare mirë në mënyrë ambulatore. Qendra do të ketë një staf prej tre personash, një mjek dhe dy infermierë. Kjo qendër përveç dhënies së mjekimeve do të shërbejë shumë edhe për informimin e pacientëve rreth sëmundjes që ata kanë. Gjithashtu me krijimin e kësaj qendre pacientët mund të kryejnë të gjitha llojet e vizitave që duhet të bëjnë pasi me marrjen e faktorit hemofilik ata më pas mund të shkojnë te stomatologu apo fizioterapisti. Fizioterapia është shumë e domosdoshme për këta pacientë. Gjithashtu nëse heqin një dhëmballë ata mund të kenë hemorragji por me marrjen e faktorit hemofilik parandalohen gjakrrjedhjet.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.