MENU
klinika

Sabina Kasimati

Historia e biologes në një ekspozitë “ndryshe”

07.06.2023 - 12:34

Ekspozita laboratorike “Ujërat e Turbullta” e konceptuar nga artisti Driant Zeneli në bashkëpunim me mjeshtrin e papier-mâché Deni Bianco, është një projekt kushtuar shkencëtares së parë shqiptare Sabiha Kasimati.

Projekti është “një udhëtim” i cili, nëpërmjet artit, kujtesës, ekologjisë dhe teknologjisë, vendos në fokus rëndësinë e figurës së studiueses Sabiha Kasimati, e cila ka zgjedhur të sfidojë politikën, stereotipat sociale dhe madje edhe vetë vdekjen, në emër të shkencës dhe lirisë.

Titulli i projektit niset nga diploma e saj “Peshqit e Shqipërisë”. Artisti Driant Zeneli e sjell këtë ekspozitë në formën e një laboratori, në hapësirën e re të artit në Tiranë, Qendrën Agimi. Projekti që do të mund të shihet ne Qendrën Agimi nis nga historia e biologes me anë të një paralelizmi me figurën e prometeut. Duke përdorur teknikat e argjilës, paper-machine dhe robotikës, merr formë historia e biologes Sabiha Kasimati: një grua që shndërrohet në peshk. Mike e peshqve dhe e përparimit, si një Promete bashkëkohor, ajo vjedh dritën elektrike nga Diga për t’ia ofruar peshqve që jetojnë nën ujërat e turbullta. Për shkak të veprimit të saj ajo vuan dënimin nga Diga, e cila e lidh me zinxhirë tek një shkëmb në skaj të botës dhe më pas e bën të fundoset nën tokë.

Vrasja e Sabiha Kasimat, biologes së parë shqiptare, ishte një nga tragjeditë e shumta të shkaktuara nga sistemi diktatorial shqiptar i drejtuar nga Enver Hoxha. Pak para eliminimit së saj u botua monografia shkencore “Peshqit e Shqipërisë”, e para e këtij lloji në Shqipëri.

Botimi i saj zhduket menjëherë dhe kjo mund të konsiderohet një vdekje e dytë për biologen. Vetëm mbas rënies së komunizmit diploma origjinale u arrit të gjendej në Fakultetin e Shkencave të Biologjisë në Torino, ku ajo studioi nga viti 1936-40.

Pas rënies së regjimit në vitin 1991, Kasimati u nderua me “Urdhrin e Nderit të Kombit” në viti 2008, ndërsa Muzeu i Shkencave të Natyrës, të cilin ajo e mbështeti fuqishëm, mori emrin e saj, për vlerësimin dhe nderimin për kontributin e saj shkencor.