Kina e ka deklaruar jo pak herë se pushtimi i Tajvanit, është një nga prioritetet kryesore, ndonëse shpesh duket se ecën me strategjinë “tërhiq mos e këput”.
Rasti i fundit, sidoqoftë, është totalisht e kundërta. Së fundmi, Tajvani aktivizoi sistemet e tij të mbrojtjes të enjten pasi raportoi se 37 avionë ushtarakë kinezë fluturuan në zonën e mbrojtjes ajrore të ishullit, disa prej të cilëve më pas fluturuan në Paqësorin perëndimor, në inkursionin më të fundit ajror masiv të Pekinit.
Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se nga ora 5 e mëngjesit ajo kishte zbuluar avionë të forcave ajrore kineze, duke përfshirë luftëtarët J-11 dhe J-16, si dhe bombardues H-6 me aftësi bërthamore, që fluturonin në cepin jugperëndimor të saj, zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore, ose ADIZ.
ADIZ është një zonë më e gjerë që Tajvani monitoron dhe patrullon për t’u dhënë forcave të tij më shumë kohë për t’iu përgjigjur kërcënimeve.
Disa nga avionët kinezë fluturuan në juglindje të Tajvanit dhe kaluan në Paqësorin perëndimor për të kryer “stërvitje mbikqyrjeje ajrore dhe navigacion në distanca të gjata”, tha ministria në një deklaratë.
Kina, e cila e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj, gjatë tre viteve të fundit ka fluturuar rregullisht forcat e saj ajrore në qiejt afër ishullit, por jo në hapësirën ajrore territoriale të Tajvanit, ndaj ky zhvillim ngriti alarmin.
Sakaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se do të vazhdojnë të armatosin ishullin, një “çështje e nxehtë” në lidhjet kino-amerikane.
Në prill, Kina zhvilloi manovra luftarake rreth Tajvanit pas një udhëtimi në SHBA të Presidentes së vendit Tsai Ing-wen.