MENU
klinika

Edicioni i tretë

Lojërat Europiane 2023, Shqipëria merr pjesë me 11 sportistë

09.06.2023 - 12:16

Tashmë na ndajnë më pak se dy javë nga edicioni i tretë i Lojërave Europiane, të cilat do të mbahen në Krakovë dhe Malopolska të Polonisë nga 21 qershori deri më 2 korrik. Në këtë eveniment sportiv do të marrin pjesë 48 shtete, të cilat do të garojnë në 29 sporte të ndryshme në 253 evente gjithsej.

Në Lojërat Europiane 2023 do të përfaqësohet edhe Shqipëria, e cila do të udhëtojë drejt Polonisë me 11 sportistë. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka publikuar kombëtaren kuqezi të Lojërave Europiane. Kështu, Shqipëria do të konkurrojë me 4 boksierë, duke nisur me ish-medalistin botëror, Alban Beqiri, për të vijuar me Ardit Murjen, Redis Karajn dhe Gelian Rojkun. Ndonëse një sport jo shumë i zhvilluar në vendin tonë, Massimo Mari do të mbrojë ngjyrat e flamurit kuqezi në skermë. Alvin Karaqi do të konkurrojë në karate, Marko Montanaro dhe Fjoralb Curri në padel, Manjola Konini në qitje, Jurido Cani në taekuondo dhe Fransua Shabani në teqboll.

Kujtojmë se për herë të parë Lojërat Europiane janë mbajtur në vitin 2015, eveniment që u zhvillua në Baku, ndërsa katër vite më vonë, në 2019-ën, ato u mbajtën në Minsk. Të gjitha sportet olimpike në këtë aktivitet do t’u ofrojnë mundësi kualifikimi sportistëve për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, veprimtarinë më të madhe botërore sportive që do të mbahet verën e ardhshme në kryeqytetin francez.