Lajmet që vijnë nga Veriu i Kosovës janë të gjitha të këqia këto kohë. Jo se kanë qenë të mira më parë, por tensioni dikur i heshtur po ja le rregullisht vendin episodeve të zbulimit të arsenaleve të armëve, sulmeve me eksploziv e bomba mbi godinat komunale e deri edhe grabitjen e personave me uniformë, siç qe rasti i tre policëve.
Kriza e prodhuar pas zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe ka vënë përballë dy qasje kryekëput të ndryshme në lidhje me burimin dhe shkaqet e tensionit. Në njërën anë qeveria Kurti dhe kryeministri i saj kryeneç ja hedhin të gjithë barrën e fajit Serbisë, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për kaosin që po ndodh. Në anën tjetër, pala serbe deklaron prerë se Kurti do luftë dhe se është ai personi përgjegjës për pragluftën e krijuar mes dy shteteve që do të duhej të ishin duke ndërtuar gradualisht paqen.
Në mes qëndrojnë ndërkombëtarët të cilët kanë spostuar dukshëm kutin e gjykimit për të dyja palët. Dikur ishin serbët ata që mbanin mbi supe kryqin e turpit të regjimit vrastar të Milosheviçit. Sot, për shkak të transformizmit e paqëndrueshmërisë së interesave perëndimore në këtë pjesë të Evropës, por edhe falë patriotizmit shterpë të Albin Kurtit e kokëfortësisë së tij tashmë të njohur, arbitrat evro-amerikanë kanë ndryshuar gjuhë dhe qëndrim. Humbja e mbështetjes perëndimore është në fakt kostoja kryesore që Albin Kurti i ka krijuar vetes, duke u tunduar nga teorema e sovranizmit, që nuk ka asnjë lidhje me vetë thelbin e statusit të Kosovës së sotme.
Për shkak të sjelljes refraktare të kryeministrit kosovar sot Beogradi dhe Prishtina shihen e trajtohen thuajse në mënyrë ekuivalente e simetrike në Bruksel, Paris, Berlin e Uashington, duke e bërë të dukshëm dhe flagrant gabimin taktik të kryeministrit kosovar, i cili e transformoi autokratin Vuçiç në partner edhe më të pranueshëm për perëndimorët.
Rreziku i kësaj situate e ka burimin në faktin se ndërsa një grup i madh shqiptarësh në rajon e miqsh të Kosovës në Perëndim e shohin si humbëse dhe me kosto të lartë politikën e Abin Kurtit ndaj Serbisë, ky i fundit ka iluzionin që po fiton vazhdimisht. Edhe kur ushtria serbe stacionohet rregullisht në kufi me Kosovën sa herë që në Veri kërcet sherri, edhe kur zgjedhjet e mbajtura në komuna prodhojnë krerë lokalë me nga dyqind vota, edhe kur vetë Kurti anatemon hapur SHBA dhe zyrtarët e saj më të lartë, të cilëve ju drejtohet më pas për ndihmë kur i grabisin policët në territorin e shtetit të vet! Kurti ushqen veten dhe të tjerët me iluzionin e fitores, edhe kur në fakt ka instaluar një luftë hibride me Serbinë që gërryen imazhin e vendit të tij, ndërkohë që duhet të ishte duke negociuar termat e paqes afatgjatë me fqinjin-armik.
Problemi i Kurtit është se ai vepron më së shumti sipas një aparati logjik e konceptual që shpërfill botën reale, interesat e prekshme e jetike të vendit, raportet strategjike me aleatët që mundësojnë sot egzistencën e shtetit kosovar.
Albin Kurti ka ndërtuar një univers të tijin, ku gjithçka përthithet e përthyhet sipas një flluske imagjinare pa kohë dhe pa hapësirë, por të bazuar kryekëput në patriotizmin sa legjendar aq edhe naiv, me balozë, shtojzavalle e luftë kundër imperializmit. Bindjet janë armike më të rrezikshme të së vërtetës, sesa vetë gënjeshtra, thotë Niçe. Dhe Kurti është një njeri që ndjek bindjet e tij. E përkthyer në realitetin gri të Veriut të Kosovës, kjo do të thotë që kosovarët duhet të përgatiten të ndjekin sfidat fluturake që fantazia e kryeministrit të tyre ka nën mëngën e kostumit.
Ishte dhe ende është një kohë delikate, kur Kosova kërkon liderë politikë të përgjegjshëm për të definuar të ardhmen e saj, kur ka nevojë për politikanë realistë për të përpjetat ku i ka futur historia, por edhe shanset unike që ju ofrohen. Duhet të kapërcejnë të parat dhe të dinë të kapin fort të dytat. A është Albin Kurti në lartësinë e kësaj detyre të vështirë dhe të papërsëritshme?! Nëse sheh mishmashin që gatoi në Veri, vështirë të thuash se po. Nëse vështron të shkuarën e tij si politikan, vështirë të jesh optimist. Me ndërgjegje dhe këmbëngulje ai po ndjek instiktin e tij të përballjes dhe konfrontimit. Ashtu si në proverbin e Niçes, megjithë çfarë vjen pas.