MENU
klinika

U arratisën nga Rusia

Lukashenko “strehon” Wagner! zbulohet vendndodhja e kampit në Bjellorusi

29.06.2023 - 20:28

Një udhëheqës rebel bjellorus ka zbuluar se Bjellorusia është duke ndërtuar një lokacion për mercenarët Wagner në Osipovichi, një qytet 230 km në veri të kufirit me Ukrainën.

Aliaksandr Azarau, kreu i grupit gueril BYPOL të ish-anëtarëve ushtarakë, tha se ushtarët bjellorusë ishin të përfshirë, por guerilët bjellorusë nuk e donin Wagnerin atje dhe po përgatisnin një “mirëseardhje të ngrohtë” për ta.

Mesazhi i Azarau vjen pas një deklarate nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, se ai u kishte ofruar luftëtarëve të Wagner një vend për të ngritur kampin. Lukashenko nuk tha se ku ishte kampi që u kishte ofruar, por banorët e Osipovichi, një qytet me 30,000 banorë, u shprehën të tronditur.

Inga, një mjek 43-vjeçar në Osipovichi, i tha Associated Press se: “Ka pajisje ushtarake dhe ushtarakë bjellorusë në rrugë. Të gjithë banorët po diskutojnë ardhjen e Wagnerit dhe, sinqerisht, ne jemi në panik që jemi fqinjë me ta.”

“Kam vajza adoleshente… Si do të jetojmë pranë banditëve, vrasësve të falur dhe përdhunuesve?”

Në foto: Vendi që do të kthehet në “strehën” e re për grupin Wagner

Yevgeny Prigozhin, lideri i Grupit Wagner, mbërriti të hënën në Bjellorusi. Lajmi u konfirmua përmes një deklarate për shtyp nga udhëheqësi bjellorus Lukashenko, megjithëse ky i fundit nuk dha detaje dhe ende nuk dihet vendndodhja e saktë e tij.

Sipas një grupi të pavarur monitorues ushtarak bjellorus, Belaruski Hajun, Prigozhin u takua me Lukashenkon disa herë këtë javë për të diskutuar forcën e tij në Bjellorusi. Avioni privat i Prigozhin po operon jashtë bazës ajrore Machulishchy pranë Minskut.

Guerilët nga BYPOL i thanë Associated Press se do t’i rezistojnë luftëtarëve të Wagner të stacionuar në Bjellorusi dhe do të “inskenojnë akte” sabotazhi në vendet ku janë vendosur mercenarët. Mirëpo, afërsia e forcave Wagner me vende si Polonia, Letonia dhe Lituania, ka shqetësuar anëtarët e NATO-s.

Zoti Lukashenko ka thënë se luftëtarët Wagner që nuk duan të rrinë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes ruse mund të qëndrojnë në Bjellorusi “për ca kohë” me shpenzimet e tyre.

Vendet fqinje baltike shprehën gjithashtu shqetësime se si kjo do të ndikonte në sigurinë në rajon. Në një deklaratë të përbashkët të mërkurën, kryetarët e parlamenteve në Estoni, Letoni dhe Lituani i kërkuan Bashkimit Evropian të etiketojë Wagnerin një grup terrorist.