MENU
klinika

Analiza nga "Project Syndicate"

Miti i rënies së Perëndimit

04.06.2023 - 08:30

Nga Chris Patten “Project Syndicate” /Samiti i fundit i udhëheqësve të vendeve të G7-ës në Hiroshima të Japonisë kulmoi me një shfaqje mbresëlënëse uniteti mbi luftën në Ukrainë dhe ekspansionizmin e Kinës. Por a kanë të drejtë analistët dhe komentatorët që citojnë rënien e pjesës së këtij grupit në PBB-në globale si një dëshmi të pakësimit të fuqisë dhe ndikimit të tij?

Sidomos Kina ka përfituar nga kjo prirje gjatë viteve të fundit për të shpallur epërsinë e sistemit të saj njëpartiak mbi “dekadencën” e demokracive të pasura liberale. Ndërkohë G20, që së bashku me vendet e G7, përfshin edhe Kinën, Indinë, Brazilin, Afrikën e Jugut, Indonezinë dhe 8 vende të tjera, ka luajtur një rol të spikatur në skenën globale.

Por provat për rënien e G7-ës nuk janë shumë të forta. Sepse ndërsa vendet e G20-ës përbëjnë afërsisht 2/3 e popullsisë së botës dhe 85 për qind të PBB-së globale, vetëm 7 vendet e G7-ës përfaqësojnë 44 për qind të ekonomisë botërore, pavarësisht se përmbajnë vetëm rreth 10 për qind të popullsisë së saj.

Sigurisht, është fakt që ecuria ekonomike e G20-ës është përmirësuar shumë gjatë viteve të fundit, pasi miliarda njerëz në vendet në zhvillim kanë marrë pjesë gjithnjë e më shumë në një ekonomi globale, rregulloret e së cilës janë autorë kryesisht nga Perëndimi.

Ndërsa demokracitë perëndimore u bënë më të hapura ndaj tregtisë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, vendet në zhvillim fituan qasje tek tregjet te mëdha për mallrat e tyre, shpesh me çmime më të ulëta. Për shembull, eksportet kineze në Shtetet e Bashkuara u rritën nga 3.86 miliardë dollarë në vitin 1985 në 537 miliardë dollarë në vitin 2022.

Megjithatë, duke pasur parasysh se zhvillimi i demokracive të pasura ka qenë një forcë shtytëse prapa suksesit të vendeve në zhvillim, do të ishte e gabuar që kjo prirje të interpretohet si një shenjë e rënies së Perëndimit.

Ngjashëm, ndërsa është bërë gjithnjë e më e zakonshme të parashikohet fundi i dominimit ekonomik të Amerikës, historia sugjeron se SHBA-ja do të kapërcejë problemet e saj aktuale, siç ka bërë vazhdimisht në të kaluarën. Nuk ka asnjë dyshim, se SHBA përballet me sfida të frikshme politike dhe ekonomike.

Ndikimi i tepërt i parave e ka cënuar integritetin e sistemit të saj politik, duke kontribuar në gërryerjen e kontrolleve dhe ekuilibrave kushtetues. Dhe thellimi i polarizimit, i nxitur nga mediat sociale dhe luftërat kulturore që kanë dalë jashtë kontrollit, e ka thelluar mosfunksionimin politik të vendit dhe ka kontribuar në politizimin e gjyqësorit të tij.

Ndërsa janë probleme serioze, ato janë ende të menaxhueshme dhe të zgjidhshme falë hapjes së shoqërisë amerikane, e cila e inkurajon debatin e lirë dhe të fuqishëm. Për më tepër, SHBA-ja e ruan statusin e saj si fuqia kryesore ushtarake në botë dhe si një bastion i demokracisë liberale, siç po shihet edhe nga mbështetja e saj për Ukrainën.

Ajo mburret me të drejtë me sektorin e korporatave më të suksesshme në botë dhe për universitetet amerikane, të njohura për rezultatet e tyre të jashtëzakonshme kërkimore, dhe që për këtë arsye janë një magnet global i talenteve.

Dhe përkundër asaj që thotë presidenti kinez Xi Jinping dhe ndjekësit e tij për një Perëndim dekadent dhe në rënie, SHBA-ja ushtron ende ndikim të madh kulturor dhe mbetet një destinacion i preferuar për emigrantët në mbarë botën.

Gjatë viteve të fundit, vendet e G7-ës kanë qenë të zëshme duke e kritikuar Kinën për shkeljet prej saj të normave ndërkombëtare. Njëkohësisht, ata kanë synuar që të trajtojnë praktikat shpesh të pandershme të vendit pa e frenuar rritjen e saj ekonomike dhe e kanë inkurajuar Kinën të luajë një rol udhëheqës në trajtimin e sfidave globale. Disa analistë i kanë interpretuar këto veprime si një formë mbështetjeje për përpjekjet e SHBA-së për të ushtruar kontroll mbi një fuqi rivale.

Në librin e tij të vitit 2018 “Destined For War”, politologu Graham Allison shkruan ndër të tjera se SHBA dhe Kina po shkojnë drejt asaj që ai e quajti “Kurthi i Tukididit”, një referencë ndaj rrëfimit të historianit të lashtë grek mbi përpjekjet e Spartës për të ndalur rritjen e Athinës, e cila shkaktoi edhe Luftën e Peloponezit.

Megjithatë, një analogji më e mirë është mesazhi i dërguar nga athinasit për banorët e ishullit të rrethuar të Melos, përpara se të ekzekutonin burrat dhe të skllavëronin gratë dhe fëmijët: “të fortët bëjnë atë që munden, dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet!”.

Lejimi i Kinës dhe i vendeve të tjera autoritare që të diktojnë rregullat, do të prodhonte një rend botëror të bazuar vetëm në këtë parim “realist”. Ky është një skenar makthi, të cilin vendet e G7 dhe demokracitë e tjera liberale duhet të përpiqen ta parandalojnë.
Pretendimet e Kinës për rënien e Perëndimit, zbulojnë një ankth bazik që ka vetë Kina. Në fund të fundit, nëse demokracia liberale është duke dështuar, atëherë pse zyrtarët kinezë shprehin vazhdimisht frikën e tyre ndaj saj?

Sepse fakti që udhëheqësit e Partisë Komuniste të Kinës, kanë udhëzuar anëtarët të angazhohen në një “luftë intensive” kundër vlerave liberal-demokratike, tregon se ata i shohin si një kërcënim ekzistencial shoqëritë e hapura.

Udhëheqësit e PKK-së janë të njohur për dyshimin e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për historinë kineze. Përpjekjet e tyre për të shtypur kujtesën e masakrës së vitit 1989 në Sheshin Tiananmen ndaj mijëra studentëve dhe punëtorëve protestues nga ana e Ushtrisë Çlirimtare Popullore, janë një rast i tillë.

Ndërkohë dy shembuj më të freskët ofrojnë dëshmi të mëtejshme të kundërshtimit të regjimit ndaj fjalës së lirë, armiqësisë së tij brutale ndaj kritikës dhe frikës së tij të rrënjosur thellë ndaj popullit të tij.

Së pari, në Hong Kong, shefi ekzekutiv John Lee, ish-polici që tani po mbikëqyr transformimin e qytetit në një shtet policor, urdhëroi kohët e fundit bibliotekat publike që të largojnë të gjitha librat që mund të sfidojnë regjimin e PKK. Ndërsa privimi i njerëzve nga qasja ndaj librave nuk është njësoj si djegia e tyre, historia na mëson se e dyta shpesh ndjek të parën.

Së dyti, një libër i ri i romancierit të mirënjohur kinez Murong Xuecun, shkrimet e mëparshme të të cilit janë ndaluar, dhe që tani jeton në mërgim në Australi, hedh dritë mbi ngjarjet që ndodhën realisht në Wuhan gjatë fazave të hershme të pandemisë COVID-19.

Në librin e tij “Deadly Quiet City”, Murong fokusohet tek dëshmitë okulare të banorëve të Wuhan, përfshirë gazetarët si Zhang Zhan, të cilët u përballën me arrestimin, torturat dhe burgimin kur u përpoqën që të zbulojnë të vërtetën mbi situatën në qytet.

Këto zbulime nuk frymëzojnë shumë besim tek gatishmëria e Kinës për të bashkëpunuar me vendet perëndimore në adresimin e sfidave globale. Duke pasur parasysh mbështetjen e saj tek mashtrimi dhe turbullimi i së vërtetës, dhe frikën e saj nga debati i lirë dhe i hapur, ndoshta Kina duhet të reflektojë mbi veprimet e saj përpara se t’i quajë dekadente vendet e tjera. /albeu.com

Shënim:Chris Patten, guvernatori i fundit britanik i Hong Kongut dhe një ish-komisioner i BE-së për punët e jashtme. Aktualisht është kancelar i Universitetit të Oksfordit në Angli.