Gjatë vizitës dyditore në Prishtinë dhe Beograd, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, kanë nisur takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, citohet t’u ketë thënë të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobarit dhe Mirosllav Lajçakut, se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
“Prandaj presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, u tha Osmani, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes.
Osmani përmendi edhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja që ka qenë kërkesë e Escobarit dhe Lajçakut në takimin e një dite më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, tha Osmani.
Ajo gjithashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar të punojë në bashkëpunim me aleatet e saja ndërkombëtare./rel