Më në fund SPAK dha urdhër për një arrestim ekselent. Vangjush Dako, i arrestuar dje me akuzën e shpërdorimit të detyrës, është një nga figurat më të afërta të majës së pushtetit politik mes atyre të inkriminuara deri tani nga superprokuroria antikorrupsion. Personalisht e kam njohur dhe takuar shumë herë Vangjushin, dhe e kam konsideruar përherë inteligjent dhe plot humor, por kjo nuk i ka krijuar në sytë e mi asnjë imunitet gjyqësor. Nëse është fajtor për ndonjë akuzë, është e drejtë që edhe ai të paguajë.
Pastaj lexova 76 faqet e akuzave që e çuan në burg dhe do të provoj t’I përmbledh duke u kufizuar me të dhe jo në të 9 të akuzuarit. Faktet që i kontestohen Vangjush Dakos janë dy: I pari i referohet periudhës mes 2010 dhe 2014, i dyti në tetor 2014. Pra, gati 10 vite më parë. I pari është për një leje ndërtimi për një pallat me 7 kate, që në të vërtetë kishte 11 kate, e dhënë nga bashkia e Durrësit në 2015 kur pallati ishte ndërtuar pa leje mes 2010 dhe 2011. Akuza e dytë është për një tender për projekt-zbatimin e shëtitores Bërryli-Currilat vlera e të cilit duhet të ishte 2.63 milionë lekë, ndërsa bashkia në tetor të 2014 e bëri tenderin me fondin limit 21 milionë lekë. Këtu del shuma 18 milionë lekë diferencë e konsideruar si dëm ndaj buxhetit të Shtetit.
Historia e lejeve të ndërtimit u bë publike 3 vite më parë, pasi tërmeti i vitit 2019 dëmtoi strukturën dhe rreth 40 banorë të pallatit bënë padi në SPAK duke akuzuar bashkiakun dhe bashkëpunëtorët e tij për legalizimin e atij pallati edhe pse ndërtuesi nuk kishte zbatuar rregullat e ndërtimit dhe ato antisizmike. Historia e tenderit të shëtitores u denoncua në 2015 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Për të dyja rastet Vangjush Dako akuzohet për shpërdorim detyre se nuk ka kontrolluar stafin e tij dhe në respektimin e rregullave. Asnjë akuzë për korrupsion dhe asnjë shenjë që lejet e ndërtimit apo tenderi për shëtitoren janë dhënë në këmbim të ndonjë favori personal të marrë nga kryebashkiaku. SPAK nuk ka dhënë asnjë provë në këtë drejtim dhe nuk dimë nëse i ka kërkuar. Pra nuk është një histori korrupsioni. Ka zgjatur 3 vite për një çështje dhe 5 vite për tjetrën për të shndërruar në një urdhër arresti akuza për fakte të ndodhura më shumë se 9 vite më parë e që ndodheshin në kallëzimet e banorëve dhe në raportin e KLSH-së. Kjo nuk mjafton për ta vënë në diskutim legjitimitetin e procesit të nisur, ndoshta pervec faktin se abuzimet janë aq të vjetra sa për pak muaj do të zhdukeshin me parashkrim. Eshtë e diskutueshme dhe zgjedhja për ta çuar në burg një ish-kryebashkiak duke e ditur se provat në ngarkim të tij janë mbledhur prej kohësh (nëse nuk do të kishte prova nuk do të kishte as një urdhër arresti nga gjykata) dhe nuk ka asnjë rrezik jo vetëm se mund t’i prishet, por edhe se mund ta përsërisë të njëjtin krim duke mos pasur më asnjë funksion publik. Megjithatë, ajo që vazhdon të habisë me të vërtetë është standarti i dyfishtë që vazhdon të përdorë SPAK.
Është e jashtëzakonshme të lexosh në aktakuzë sekuencën e ligjeve, neneve, rregulloreve dhe vkm-ve të mbledhura nga prokurorët për të inkriminuar Vangjush Dakon dhe e para pyetje që vjen në mëndje është: Me të vërtetë është i vëtëm që i shkel? Nëse arrihet të arrestohen një ish-kryebashkiak tani që nuk është më në detyrë për një leje ndërtimi dhe për një tender të dhëna në 12 vite jetë administrative, si shpjegohet që SPAK nuk arrin të arrestojë fajtorët për krime shumë më të rënda? SPAK ka në duar disa nga dosjet më të tmerrshme të 15 viteve të fundit. Disa të lidhura me krimin e organizuar, me superbosë që askush nuk i prek, pasi nuk gjenden dot provat pa ardhur nga jashtë një dosje e gatshme. Të tjera dosje të lidhura me kriminalitetin politik dhe financiar, dhe në këtë rast provat nuk mungojnë, por mungojnë vullneti dhe guximi për të arrestuar fajtorët. Përse është kaq e lehtë t’i vihen prangat Vangjush Dakos për një leje ndërtimi të firmosur 10 vite më parë dhe askush nuk prek klanin Berisha-Meta për masakrën e Gërdecit, tragjedinë e 21 janarit, skandalin e Klubit Partizani, dhe dosjet e tjera të harruara? Vetëm se Vangjush Dako (si çdo socialist tjetër i inkriminuar) ose Edi Rama nuk protestojnë, ndërsa bandat politike të Berishës kërcënojnë me kryengritje të armatosur? Le ta bëjnë kryengritjen e armatosur atëherë, nëse kjo do të thotë të vendoset në vend drejtësia. Shqipëria i mbijetoi 14 janarit të Berishës dhe molotovëve të Bashës: do të mbijetojë edhe ndaj ndonjë grupi militantësh të inatosur. Nuk mund të pranohet një drejtësi e reformuar njësoj si ajo e pareformuara: I vetmi ndryshim është se ajo e vjetra nuk prekte askënd, kjo e reja prek vetëm një anë politike. Berisha, Meta dhe njerëzit e tyre vazhdojnë të shijojnë një imunitet skandaloz.
Edhe analistët televizivë kanë një pjesë përgjegjësie në ushqimin e kësaj klime padrejtësie të vazhdueshme. Mbrëmë në një nga sallonet televizive më të butë me Berishën shpaloseshin dy teori. E para që urdhër arresti “me siguri maksimale” ishte formosur 4 ditë më parë, por që ishte vonuar nga policia për t’i dhënë kohë Vangjush Dakos të përgatitej. Drejtuesi pohonte i skandalizuar. Ndërsa sot u publikua kopja e urdhër arrestit që mban datën 6 maj 2023 dhe dyshojmë që ai “sharlatan investigativ” dhe drejtuesi do të kërkojnë ndjesë për mashtrimin e radhës. Teoria e dytë është që SPAK-u po heton për pastrim parash për Klubin Partizani dhe këtë herë drejtuesi i emisionit reagon i skandalizuar: Pastrim parash? Për Klubin Partizani? Dhe pse? Si ka mundësi?”
Tamam, si ka mundësi që dhëndrri i Sali Berishës që u kthye nga Kosova në 1995 me 30.000 dollarë në bankë dy vite më pas nis investimin prej 15 milionë eurosh dhe sot ka 8 kulla në qendër të Tiranës që vlejnë 40? Me ç’para’ i ndërtoi? Drejtuesi i emisionit as nuk e ngre pyetjen. Po SPAK të paktën, ia bën ndonjë pyetje vetes?
Nga arkat e peshkut te ryshfetet prej 3000 euro, deri te lejet e ndërtimit 10 vite më parë, është e drejtë që SPAK të mos tërhiqet para askujt dhe të dënojë edhe fajtorët kur bëhet fjalë për krime të vogla. Ajo që nuk durohet është se kur hetimet prekin pjesën tjetër politike, edhe perballe fajtore për krime të rënda, kërkon falje për shqetësimin duke u dridhur e vazhdon të mos bëjë asgjë. Një drejtësi partizane dhe frikacake është më keq se asnjë drejtësi.
P.s. Shqiptarja.com publikoi një sondazh online duke pyetur opinionin publik nëse është i kënaqur për punën e bërë deri tani nga SPAK. Në pak orë votuan mbi 3600 lexues dhe 68% thotë se nuk është e kënaqur fare nga puna e superprokurorisë. Diksuh duhet të reflektojë!