Nga Marsela Shytia
Lufta po merr një kthesë sensacionale. Ukraina, në fakt, po përparon në territorin rus. Pas sulmeve me dronë në Moskë (për të cilat Kievi mohon përgjegjësinë), ato në rajonin kufitar rus të Belgorodit, goditën disa herë ditët e fundit dhe në trojet e partizanëve ukrainas të “Legjionit të Lirisë”. Mësohet se partizanët ukrainas kanë hyrë në lagjen Shebekino, në Belgorod , në kufi me Ukrainën. Zhvillimii i bujshëm u njoftua në Telegram nga Legjioni i Lirisë së Rusisë. Kjo ka bërë që lideri rus të frikësohet gjithnjë e më shumë për jetën e tij. Në një raport që shtë zbuluar së fundmi, lideri rus është aq i shqetësuar dhe i frikësuar për një atentat të mundshëm ndaj tij, si rezultat i pushtimit të Ukrainës, saqë refuzon edhe të udhëtojë jashtë vendit, sipas Business Insider. Burimi, që citon “Verstka” dhe thuhet se është një zyrtar i lartë rus, thotë se në “prapaskenat e Kremlinit” është krijuar përshtypja se Putini e mendon shumë gjatë kur bëhet fjalë për të udhëtuar kudo dhe se ai “nuk ndihet i sigurt”. Sipas raportimeve, ngjarjet e fundit kanë rritur paranojën e presidentit rus. Midis arsyeve që e frikësojnë është edhe një urdhër-arresti i lëshuar në mars nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë (ICC) me akuza për krime lufte, deportim të fëmijëve nga Ukraina në Rusi, dhe sulmet misterioze me dron pranë Moskës dhe në zemër të Kremlinit. Ka edhe akuza kundër grupit Ëagner dhe shefit të tij Yevgeny Prigozhin, se ata po planifikojnë një grusht shteti kundër Putinit.
Paranojat e Putinit
Sulmet me dronë goditën së fundmi një periferi të kryeqytetit rus ku jetojnë qytetarë të profilit të lartë të shoqërisë dhe Kremlini tha se shumica e dronëve u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Një burim zbuloi për mediat ruse se Putin ishte në rezidencë në momentin e sulmit dhe u zgjua nga zyrtarët e sigurisë dhe se ky ishte një atentat i qëllimshëm ndaj liderit rus.Edhe fakti që ukrainasit janë futur në territorin rus, kanë shtuar frikën e Putinit. Guvernatori i Bolgorodit, Vyacheslav Gladkov, i ka kërkuar popullatës të braktisin shtëpitë dhe të largohen: “Largohuni përkohësisht nga shtëpitë, është më e rëndësishme, jeta juaj dhe familjarëve”, tha ai në Telegram. Frika e presidentit rus, shtohet edhe nga paralajmërimet ukrainase se kundërofensiva do të nisë shpejt dhe do të ndryshojë gjithçka. Philip Ingram, një ish-oficer i inteligjencës ushtarake britanike, i tha “Business Insider” se Putin sa vjen dhe më shumë izolohet, sidomos pas pandemisë Covid-19.Ngjarjet e fundit, thotë ai, “do të vazhdojnë të rrisin paranojën e tij, kështu që ai do të vazhdojë të marrë masa gjithnjë e më të forta sigurie për të izoluar edhe më shumë veten.” Ingram thotë se këto masa sigurie përfshijnë përdorimin e sozive dhe kontrollet e ushqimit, përpara se t’i shërbehet, me frikën se mund të jetë i helmuar. “Truprojat e tij janë besnikë deri në atë pikë sa mund të bëjnë gjithçka për të”, shton ish-oficeri.
Izolimi dhe kontrollet
Komentet e Ingram i bëjnë jehonë atyre të ish-zyrtarit të sigurimit të Kremlinit, Gleb Karakulov, i cili u largua nga Rusia në prill për shkak të kundërshtimit të tij ndaj luftës në Ukrainë. Në një intervistë me uebsajtin investigativ rus “Dossier Center”, ai foli për izolimin dhe paranojën në rritje të Putinit. Ai tha se Putin udhëton në një tren të blinduar dhe se nuk përdor as internetin. Ingram thekson se një grup bashkëpunëtorësh të ngushtë i japin Putinit informacione jo të vërteta, që natyrisht e bën atë të marrë vendime të gabuara. Dhe kjo sipas Ingram, “do të thotë se ai është në një pozicion ku, nëse i paraqitet vetëm ajo që dëshiron të dëgjojë, vendimmarrja e tij do të jetë vazhdimisht e më e gabuar.” Ingram thekson se gabimet e Putinit gjatë pushtimit të Ukrainës, janë pikërisht shembuj të kësaj.Putini pritej të merrte pjesë në takimet e samitit në Indi këtë verë, si dhe në samitin e BRICS në Afrikën e Jugut në gusht, por mediat lokale thanë se pjesëmarrja e tij ishte në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve rreth urdhër-arrestit të ICC-së. Reuters raportoi se zyrtarët e Afrikës së Jugut madje po konsideronin zhvendosjen e samitit në Kinë, prej tij.Ingram thekson se Putin dëshiron të prezantohet si një “burrë shteti ndërkombëtar” me peshë në skenën globale. Por frika nga atentati dhe ndjenja e paranojës kanë filluar ta shkatërrojnë atë imazh.