MENU
klinika

Analiza

“Samiti 007” dhe sekretet e superfuqive

05.06.2023 - 12:26

Nga lufta në Ukrainë, tek pushtimi i mundshëm i Tajvanit, janë vetëm disa nga çështjet e nxehta që shqetësojnë botën sot. Megjithatë duket se takimet dypalëshe apo shumëpalëshe në sytë e gjithë botës nuk mjaftojnë. Ndaj zyrtarë nga agjencitë e inteligjencës në mbarë globin u takuan fshehurazi në Singapor, qytet-shtet ishull në jug të Malajzisë, në kuadër të Dialogut të Sigurisë Shangri-La. Këto takime, të organizuara nga pushteti vendor, mbahen në një vend konfidencial dhe zhvillohen prej disa vitesh, por nuk janë bërë publike asnjëherë në të kaluarën. Samiti sigurisht pritet të krijojë pak “zhurmë”, duke pasur parasysh edhe çështjet delikate në tryezën e sigurisë ndërkombëtare. Sipas Reuters, në tryezën e shteteve, nuk është diskutuar vetëm lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet perëndimore me Rusinë, por edhe planet e Kinës për pushtimin e Tajvanit.

Vendet në tryezë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përfaqësuan në Singapor nga Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Avril Haines dhe Pekini ishte gjithashtu i përfaqësuar nga emisarët e tij. “Takimi është një pikë e rëndësishme në axhendën ndërkombëtare të lënë në hije”, tha një person me njohuri për diskutimet. “Ekziston një kod i pashprehur midis shërbimeve të inteligjencës që mund të flasë, kur diplomacia formale dhe e hapur has vështirësi: është një faktor shumë i rëndësishëm në kohë tensionesh dhe samite i Singaporit ndihmon për ta promovuar atë”, tha ai.Samant Goel, kreu i krahut të Kërkimit dhe Analizës të agjencisë së inteligjencës jashtë shtetit të Indisë, gjithashtu mori pjesë, tha një burim indian. Ambasada amerikane në Singapor tha se nuk kishte informacion për takimin. Ndërsa, qeveritë kineze dhe indiane nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re operojnë rrjetin Five Eyes për të mbledhur dhe ndarë një gamë të gjerë informacionesh, dhe zyrtarët e tyre të inteligjencës takohen shpesh. Lidhur me konfliktin në Ukrainë, shefat e inteligjencës zhvilluan një takim jozyrtar mbrëmjen e së enjtes. Asnjë përfaqësues rus nuk ishte i pranishëm, tha një nga burimet e cituar nga Reuters. Një tjetër burim tha se toni i takimit ishte bashkëpunues dhe jokonfrontues. Përfshirja e Ukrainës në axhendë, edhe pse vendi është një hemisferë larg, vjen pasi shumica e shteteve të Azisë Juglindore kanë zgjedhur të heshtin ndaj pushtimit rus.

Dialogu i sigurisë

Në dialogun kryesor të sigurisë, më shumë se 600 delegatë nga 49 vende mbajtën tre ditë seanca plenare, si dhe takime dypalëshe dhe shumëpalëshe me dyer të mbyllura në hotelin Shangri-La. Kryeministri australian Anthony Albanese mbajti fjalimin kryesor, por folën edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu dhe homologët nga Britania, Japonia, Kanadaja, Indonezia dhe Koreja e Jugut. Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare amerikane,  në një diskutim mbi sigurinë kibernetike në takimin kryesor, tha në përgjigje të një pyetjeje nga një oficer ushtarak kinez, se bashkëpunimi midis vendeve ishte thelbësor. “Është absolutisht kritike, edhe kur ka mosbesim, dhe madje edhe kur përballeni me kundërshtarë, që ju ende të përpiqeni të punoni dhe të bashkëpunoni për çështje me interes të ndërsjellë dhe gjithashtu të përpiqeni të menaxhoni potencialin për përshkallëzim”, tha ajo. Më e ashpër ishte pala kineze, pasi Ministri i Mbrojtjes paralajmëroi kundër krijimit të aleancave ushtarake të ngjashme me NATO-n në Azi-Paqësor, duke thënë se ato do ta zhysin rajonin në një “vorbull” konflikti, siç raportuan mediat e huaja.  Komentet e tij erdhën një ditë pasi anijet ushtarake amerikane dhe kineze lundruan afër njëra-tjetrës në ngushticën e Tajvanit, një incident që provokoi zemërim nga të dyja palët. Sakaq, sdialogu, i organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike dhe tani në edicionin e tij të 20-të, u ofron kombeve një mundësi për t’u përfshirë në dialog. Forumi karakterizohet zakonisht nga një mori takimesh dypalëshe dhe shumëpalëshe në periferi të programit kryesor.