Proteina është një makronutrient thelbësor me shumë përfitime shëndetësore. Përveç kësaj, ushqimet me proteina të larta krijojnë ngopje pasi u duhet më shumë kohë për t’u tretur pa rritur sheqerin në gjak. Burimi më i njohur i proteinave janë vezët, pasi ato përmbajnë pak kalori dhe një përmbajtje të lartë proteinash, 6 gram për vezë.
Një studim i ri japonez së fundmi ka treguar se sa është sasia ideale e proteinave që duhet të marrim për të na siguruar jetëgjatësi. Përgjigjia lidhet me dietën mesdhetare. Cili konsiderohet ekuilibri ideal në mënyrë që të vazhdojmë të jemi të shëndetshëm deri në pleqëri? Asistent/profesori Yoshitaka Kondo nga Universiteti Waseda i Japonisë thotë se:
Balanci optimal i makronutrientëve që sjellin rezultatet ideale shëndetësore mund të ndryshojnë në faza të ndryshme të jetës. Studimet e mëparshme tregojnë potencialin për të minimizuar vdekshmërinë e lidhur me moshën gjatë gjithë jetëgjatësisë duke ndryshuar raportin e proteinave dietike ndaj karbohidrateve. Megjithatë, sasia e proteinave që duhet të konsumohet për të ruajtur shëndetin metabolik ndërsa i afrohemi moshës së vjetër nuk është ende e qartë.
Cila është sasia ideale e proteinave? Duke dashur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, studiuesit nga Japonia studiuan shëndetin kardiometabolik dhe procesin e plakjes te kafshët laboratorike. Më konkretisht, ata u fokusuan në sasinë e nevojshme të proteinave dietike për të përmirësuar shëndetin metabolik te minjtë e moshuar. Minjtë meshkuj të rinj (6 muajsh) dhe të moshës së mesme (16 muajsh) u ushqyen me një dietë izokalorike me përmbajtje të ndryshme proteinash (5 deri në 45%) për dy muaj.
Pas përfundimit të vëzhgimit, efektet e ndryshme të dietave u vlerësuan në bazë të matjeve të peshës së muskujve skeletorë, profilit të lipideve të mëlçisë dhe plazmës dhe analizës së profileve të aminoacideve plazmatike. Ekipi vuri re se konsumimi i një diete me pak proteina çoi në zhvillimin e një mëlçie të butë yndyrore, me rritje të niveleve të lipideve të mëlçisë tek minjtë e moshës së mesme në krahasim me minjtë e rinj. Në të kundërt, një dietë e moderuar e proteinave rezultoi në ulje të përqendrimeve të glukozës në gjak dhe në nivele të lipideve të mëlçisë dhe plazmës.
Me pak fjalë, sipas këtyre gjetjeve, një dietë me përmbajtje të moderuar të proteinave (25% dhe 35%) i mbante minjtë e rinj dhe të moshës së mesme metabolisht më të shëndetshëm. Kur shqyrtonin efektin e dietave të ndryshme proteinike në përqendrimet e aminoacideve plazmatike të minjve të të dy grupmoshave, studiuesit vunë re se përqendrimi plazmatik i aminoacideve individuale ndryshonte me moshën dhe përmbajtjen e ndryshme të proteinave të dietës dhe në lidhje me nivelet e kolesterolit dhe sasive të triglicerideve hepatike. Si përfundim, një dietë e ekuilibruar me sasi të moderuar të proteinave mund të jetë çelësi për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, sipas studiuesve.