Situata e tensionuar në veri të Kosovës, ka bërë që vendet aleate, ai ato të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të paralajmërojnë Kosovën për pasoja në raportet bilaterale.
Vendosja e pasojave nga BE dhe SHBA thuhet se po shqyrtohet në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet e saj dhe nuk qetëson situatën në veri të vendit.
Ditë më parë u raportua se SHBA-të pritet të vendosin sanksione edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
E lidhur me këto raportime, Telegrafi ka pyetur në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), të cilët kanë thënë se DASH nuk parashikon veprimet e sanksioneve.
“Departamenti nuk parashikon nëse do të sanksionojë individë apo subjekte, as nuk parashikon nëse planifikon të vendosë sanksione ndaj individëve apo subjekteve”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur Kurtit tre kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.