Një ditë pas tensioneve dhe përplasjes së muxhahedinëve me punonjës të Policisë së Shtetit, duket se sot situata në kampin Ashraf paraqitet e qetë.
Siç shihet nga pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetarja Klodjana Haxhiaj, jashtë kampit qëndrojnë punonjës të sigurisë private. Dje Policia e Shtetit zbarkoi në një aksion mëngjes herët në këtë kamp, me një urdhër të SPAK, pas dyshimeve se kryheshin dhe veprimtari të dyshimta brenda kësaj qendre. Ndërkohë gjatë kontrolleve, ku u kërkua që të sekuestroheshin pajisje elektronike dhe laptopë, u has në rezistencën e banorëve të kampit.
Sakaq, MEK pretendoi se një person humbi jetën nga dhuna e policisë, ndërkohë kjo e fundit tha se forcat e rendit nuk kishin ushtruar dhunë.