MENU
klinika

Analiza

Tani Rusia do të paguajë gjithçka që ka bërë…

02.06.2023 - 09:00

Rezistenca e Ukrainës ndaj pushtimit të Putinit ka shkatërruar idenë se Rusia e Vladimir Putin është e pathyeshme. Të gjithë e dinë se ajo nuk është perandoria e pamposhtur, ashtu siç ishte përpjekur për shumë kohë ta portretizonte veten si nga jashtë ashtu edhe nga brenda.

Dhe ashtu siç Rusia po përpiqet të pretendojë Ukrainën si të sajën, e gjithë përpjekja po i kthehet si “boomerang” pasi vendet e tjera duket se po i “kthejnë sytë” nga toka ruse. “Kremlini duhet të jetë i kujdesshëm ndaj promovimit të një bote ku është e pranueshme të merren territore me forcë; ajo vetëm fton të tjerët të bashkohen dhe të pretendojnë pjesë të Rusisë, si të tyret”, kështu shkruan britanikja “The Telegraph”, duke ngritur alarmin për një skenar të ri, rrallëherë të diskutuar. Japonia ishte vendi i parë që theu heshtjen e saj pas pushtimit të plotë të Ukrainës vitin e kaluar, duke rikthyer në vëmendje Ishujt Kuril, të pushtuar nga Bashkimi Sovjetik 77 vjet më parë”. Pastaj Kina filloi të vizatonte harta që e përcaktonin një pjesë të Siberisë dhe rajonit të Lindjes së Largët Ruse si të sajat.

Ndarja në 34 shtete

Në Poloni, ka narrativa që sugjerojnë se Rusia pushtoi rajonin e Kaliningradit në vitin 1945 dhe se Varshava ka të drejtë ta pretendojë atë si të vetin. Turqia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe madje edhe Ukraina mund të kenë interes për tokat ruse. Luftëtarët rusë që depërtuan  në rajonin e Belgorodit nën flamurin ukrainas shërbyen si një kujtesë për Putinin se të tjerët gjithashtu mund të rimarrin “territoret e tyre”. Kievi synon të rivendosë kufijtë e tij të vitit 1991 dhe t’i japë fund luftës. Teksa Moska ndjek zgjerimin e kufijve të saj evropianë, autonomitë kombëtare në Rusi dhe udhëheqësit e tyre planifikojnë dekolonizimin e Rusisë, duke ëndërruar ta ndajnë atë në 34 shtete të pavarura. Për momentin, lëvizjet nacionalçlirimtare mungojnë për shkak të shtypjes dhe persekutimit brenda Rusisë. Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, disa rajone të Rusisë deklaruan sovranitetin e tyre shtetëror, por u detyruan të heshtnin. Këto rajone kanë kushtetuta që deklarojnë sovranitetin si shtete të veçanta, me traktate për ndarjen e pushtetit që rregullojnë marrëdhëniet e tyre me Moskën. Këto norma janë “të fjetura”, por ato mund të aktivizohen sapo regjimi të demonstrojë paaftësinë e tij për të mbajtur nën kontroll perandorinë.

Lëvizja çlirimtare

Perspektiva për të fituar kontrollin mbi financat e tyre mund t’i shtyjë elitat lokale të kërkojnë pavarësi. Shkatërrimi i Çeçenisë u tregoi kombeve të tjera që u bashkuan me forcë me Rusinë se si Moska i trajton “separatistët”. Megjithatë, Kremlini itrajton njerëzit e këtyre rajoneve në mënyrën më të keqe të mundshme, duke i dërguar në fushën e betejës në Ukrainë, si “mish për top”.Rajonet më të varfra në Rusi u prekën më shumë nga rekrutimi. Mitingje kundër luftës janë zhvilluar në Dagestan, Kalmykia dhe Buryatia, me udhëheqësit e republikave që kanë folur kundër rekrutimit. Ata mendojnë se trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në bazë të përkatësisë etnike krahasuar me ata që banojnë në Shën Petersburg ose Moskë. Nëse shpërthen, lëvizja çlirimtare mund të përfshijë shumë rajone, duke i lënë regjimit vetëm ato territore të lidhura fort me narrativën ruse dhe pa vullnet për t’u çliruar nga sundimi perandorak.

“Bumerangu” i Rusisë

Qeveria ukrainase beson se ambiciet imperialiste të Rusisë duhet të përfundojnë me drejtësi për të gjithë. Ajo ka njohur Ishujt Kuril dhe Republikën Çeçene të Ichkeria si të pushtuara përkohësisht nga Rusia dhe mbështet politikanët e mërguar të pakicave kombëtare ruse. Ukraina këmbëngul se për të arritur një paqe të zgjatur në Evropën Lindore, trupat e Moskës duhet të largohen jo vetëm nga Krimea dhe Donbasi, por edhe nga Transnistria, Abkhazia, Nagorno-Karabaku. Është një ëndërr idealiste, thuajse e pamundur, sepse Putini nuk do të japë asnjë pëllëmbë tokë falas. Megjithatë, Moska do të bënte mire të përgatitej. “Ajo mund të përfundojë duke korrur atë që ka mbjellë, pasi tokat ruse janë shumë joshëse për fqinjët e saj, dhe qytetarët e saj të shtypur”, përmbyll “The Telegraph”.