MENU
klinika

"Policia mohoi të ketë pasur të lënduar"

Tensionet në kampin e muxhahedinëve në Manzë, VOA: Qindra policë u futën për të ushtruar kontroll!

20.06.2023 - 17:13

Në Shqipëri forca të shumta të policisë u përlasën sot me anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian, (MEK) të cilët konsiderohen si opozita e rregjimit politik në Iran.

Prej shumë vitesh, falë një marrëveshjeje me Qeverinë shqiptare, ata jetojnë në Kampin Ashraf 3, të ndërtuar prej tyre në një sipërfaqe të madhe në zonën e Manzës pranë Durrësit. Tensionet pasuan ndërhyrjen e policisë në brendësi të kampit Ashraf 3, për të ushtruar kontrolle në zbatim të një urdhëri të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Anëtarët e organizatës akuzuan policinë për ushtrim dhune duke njoftuar për të paktën një të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Policia mohoi që gjatë operacionit të saj të ketë patur të lënduar, duke saktësuar se kanë nisur verifikimet për rastin e personit të vdekur

Momente të gjata tensioni pati sot pak para mesditës në kampin Ashraf 3 ku strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët e popullit Iranian, pasi qindra forca të policisë, kishin hyrë më herët brenda kampit për të ushtruar kontroll, mbi bazën e një urdhëri të Prokurorisë së Posaçme. Kontrolli, sipas një njoftimi të policisë synonte verifikime të të gjitha mjediseve dhe zyrave. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi qëllimin e këtij kontrolli, por mësohet se ai është urdhëruar pas dyshimeve për përgatitjen e sulmeve kibernetike ndaj vendeve të treta. Ministria e Brendshme shpjegoi më pas se “vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi i muxhahedinëve, prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen”.

Sipas minisrisë së Brendshme “brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit”. Vetë anëtart e organizatës MEK, dhe avokati i tyre Genc Gjokutaj, kanë folur për ushtrim dhune nga policia, përdorim të gazit lotsjellës dhe shkopinjve të gomës. Në mjediset e spitalit të kampit kishte disa të lënduar që po merrnin ndihmën e shpejtë, ndërkohë që një person rezulton të ketë vdekur, për shkak të dhunës, siç u shpreh avokatit Gjokutaj

Në deklaratën e ministrisë së Brendshme mohohen këto deklarata duke theksuar se “gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale”. Ndërkohë mbi 15 të lënduar kanë marrë mjekim në spitalet publike në Tiranë./VOA