MENU
klinika

“Protestat janë hapi i parë”

“Zgjedhjet u manipuluan”, Noka: Përgjigjen do e merrni siç u jepet bandave

05.06.2023 - 14:52

Deputeti demokrat, Flamur Noka, u shpreh nga foltorja e Kuvendit se zgjedhjet e 14 majit ishin një farsë dhe se u manipuluan dhe u vodhën nga PS. Ai u shpreh se të gjitha provat që kanë, të cilat sipas tij dëshmojnë vjedhje dhe manipulim masiv votash, do t’i dërgojnë në prokurori.

“Pse u kërkova operatorëve në Elbasan të mos ndërhyjnë në procesin e votimit, Rama më hapi hetim. Dhe nuk kërkuan hetim për drejtorët që gjeta në QV duke kërcënuar votuesit për të votuar PS dhe të tregonin votojnë me foto, as për operatorët që votonin për qytetarët. Nuk kishte shteti të hetojnë operatorin por më hetoi mua. Në Belshi fitoi kandidati jonë dhe thanë ‘jo, jo, prit se do votojnë të burgosurit’. Asnjë i burgosur nga Belshi, të gjithë të ardhur nga vende të tjera, kutia u mbush me zero. Në gjithë botën të burgosurit votojnë kundër qeverisë, këtu paskan votuar për qeverinë. Po ky është një turp, është neveri. E di ç’a jeni ju? Ju jeni të neveritshëm”, tha Noka.

Noka shtoi se përgjigjen që do t’i japin qeverisë, do të jetë ashtu siç i jepet një bande, duke theksuar se hapi i parë do të jenë protestat.

“Ne do t’ia dërgojmë prokurorisë këto prova. Këto nuk mund t’i njohë më askush si zgjedhje. Ishin farsë. Ja ku i kemi sovjetët këtu pas, përdorën para dhe shtetin si bandë, por përgjigjja do t’i vijë siç i jepet një bande, protestat do të jenë hapi i parë dhe pastaj do prisni hapa të tjerë”, tha ai.