Zyra Europiane Anti-Mashtrim (OLAF), e cila është përgjegjëse për investigimin e shpërdorimeve apo parregullsive të evidentuara me fondet europiane në vendet anëtare dhe vendet e tjera që përfitojnë nga fonde komunitare ka hapur 36 hetime në vendet e Ballkanit Perëndimor në pesë vitet e fundit.
Këto të dhëna janë siguruar nga raportet vjetore të punës së OLAF, të cilat janë të aksesueshme për publikun në faqen zyrtare të këtij institucioni, linku – https://anti-fraud.ec.europa.eu/about-us/reports/annual-olaf-reports_en
Detajet e kompetencave apo hetimeve të OLAF kanë fituar vëmendje publike në Shqipëri, pas lajmit se Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimin e shtetit shqiptar për shpenzimet e realizuara në kuadër të skemës IPARD II të mbështetjes në bujqësi.
Një ditë më parë, në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, Ministrja Krifca u shpreh se ngrirja e përkohshme e fondeve në pritje të përfundimeve të hetimit është një praktikë normale e Bashkimit Europian dhe se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mirëpret rekomandimet finale për të vendosur për një kurs aksioni.
Por, cila është e vërteta dhe çfarë po ndodh konkretisht me OLAF në Shqipëri dhe në vendet e tjera të rajonit?
Plot gjysma e hetimeve të nisura në rajonin tonë i përket Maqedonisë së Veriut. Në pesë vitet e fundit, 18 hetime për shpërdorim apo keqpërdorim të fondeve europiane janë hapur ndaj Shkupit Zyrtar. Deri në këtë moment, OLAF i ka paraqitur institucioneve europiane dhe atyre maqedonase shtatë rekomandime.
E dyta në nivel rajonal është Serbia, ku janë hapur nëntë hetime dhe janë paraqitur deri më tani katër rekomandime.
Në Bosnje dhe Hercegovinë janë hapur tre hetime dhe janë depozituar dy rekomandime. Në Kosovë janë inicuar tre hetime dhe një rekomandim. Në Shqipëri janë hapur në total dy hetime, përfshi ai i vitit 2021 për fondet në bujqësi dhe në Malin e Zi një hetim.
Rekomandimet e paraqitura nga OLAF janë të shumëllojshme. Një hetim mund të mbyllet pa fajtorë, siç mund të mbyllet edhe me kërkesën për rikthimin e pjesshëm apo të plotë të zërave të dyshuar të abuzuar të fondeve europiane.
Në rastet kur janë verifikuar abuzime, dosjet i ofrohen agjensive ligjzbatuese në vendet përkatëse, të cilat janë ato që vendosin në vijim për përgjegjësitë objektive apo penale të zyrtarëve të përfshirë.
Gjithashtu, përvoja e vendeve që janë anëtarësuar përpara vendit tonë tregon se ekziston një korrelacion i qartë midis avancimit të kandidaturës europiane të një vendi dhe hetimeve të nisura.
Një korrelacion i tillë është i logjshëm duke vlerësuar faktin se zakonisht, sa më pranë anëtarësimit afrohet një vend, aq më shumë rriten fondet europiane dhe rrjedhimisht, zgjerohet edhe mundësia për abuzime.
Në nivel europian, rekordin për hetime të nisura e mban Italia, e cila prej disa vitesh renditet midis tre vendeve të para të kësaj liste aspak të admirueshme.
Hungaria dhe Polonia kryesojnë listën për hetime në lidhje me shpërdorime apo parregullsi të fondeve të alokuara për bujqësinë.
Në total, në pesë vitet e fundit, Zyra Europiane e Hetimit OLAF ka hapur 131 hetime për shpërdorime apo parregullsi të fondeve europiane për bujqësinë.
OLAF është një ndër dy agjensisë europiane që investigon direkt mënyrën se si shpenzohen fondet komunitare. E dyta quhet AFCOS (Anti-Fraud Coordination Service Unit in the Handling of EU Financial Resources).
Vitin 2022, OLAF e përmbylli me 256 investigime. 275 rekomandime për kompensimin e 426 milionë eurove të taksapaguesve europianë u dhanë për insitucionet kombëtare dhe ato europiane.