MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë ndërlikimesh sjell ankthi?

31.07.2023 - 10:37

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Çfarë ndërlikimesh sjell ankthi?

Mjeku: Ankthi i pakontrolluar mund të shpërthejë apo përkeqësojë sëmundjet shkaktare apo sëmundjet bashkëshoqëruese.

Ankthi i pamjekuar mund të precipitojë në çrregullime të humorit dhe probleme të të menduarit, çka e bën individin të kufizohet nga një sërë aktivitetesh, prish cilësinë e jetës deri në izolim social.

Dallohen disa lloj çrregullimesh ankthi, ku mund të përmendim ataqet e panikut, të cilat përshkruhen si episode të menjëhershme, intensive e të shkurtra frikë e terrori, që shfaqen me ose pa situata specifike nxitëse. Shpesh njerëzit kanë ndjenjën se janë duke vdekur, fobitë shfaqen si reagime frike intensive që shpërthehen nga situata apo objekte të veçanta, si lartësitë, mjediset e mbyllura, avionët, merimangat, gjarpërinjtë etj.

Ankthi social shfaqet në formën e frikës nga një situatë e sikletshme e mundshme në shoqëri. Të tilla situata janë diskutime në grupe të vogla, takime, festa e sporte.

Çrregullimi i ankthit të përgjithshëm karakterizohet nga një ndjenjë e vazhdueshme ankthi.
Çrregullimet obsesionale-kompulsive paraqiten me mendime ose veprime të padëshiruara, të përsëritura e të panevojshme.
Sindromi i stresit post-traumatik është një ankth i shkaktuar nga një ngjarje stresuese, si: luftërat, aksidentet automobilistike, katastrofat natyrore. Kjo traumë ripërjetohet herë pas here në formën e kujtimeve dhe ëndrrave të frikshme.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.