Zbardhen koeficientet që do të përdoren për llogaritjen e pensioneve të reja që do t’i shtohen skemës nga një korriku i këtij viti, dhe në vazhdim.
Pas miratimit të nga Këshilli i Ministrave pak ditë më parë, tashmë është zbardhur në Fletoren Zyrtare vendimi me koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2021 për efekt të llogaritjes së pensioneve.
Qeveria vendosi për miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2021, me indeksin 8.9 % të llogaritur sipas kritereve të përcaktuara të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ky indeks do të aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2021 dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve që do të caktohet me datë fillimi nga data 1 korrik 2023 e në vazhdim. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar koeficientet që aplikohen për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur deri në vitin 2021, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit që do të caktohet me datë fillimi nga 1 korriku i këtij viti. Koeficientet janë të detajuar për pagat nga viti 1994 deri në vitin 2023.
Pas aplikimit të indeksit të vitit 2021, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1 korrik 2023, nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 40 000 lekësh, e përcaktuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001. Ndërkohë që paga maksimale në shkallë vendi, prej 176 416 lekësh, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit, të nenit 10, të ligjit nr. 7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2023.
Sipas kushteve në ligjin për sigurimet shoqërore, personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar, ndërsa nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.
Ndërsa personat e siguruar kanë të drejtë edhe për pension pleqërie të reduktuar, deri në tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension kur: “kanë plotësuar vitet e sigurimit, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Duhet të dini se pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. “Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore.
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Në asnjë rast, shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.