Jo vetëm gjatë muajve të BBV 2, por edhe pas fitores dhe daljes nga shtëpia e famshme, Luiz Ejlli e ruajti “fronin” si njeriu më i kërkuar në internet nga shqiptarët. Tashmë, nuk është më. Dhe e dini se çfarë ia ka zënë vendin? ChatGPT.
Eksperti i IT, Toni Kallanxhi, i ftuar në “Wake Up” tha se Luizi nuk është më “on top” të më të kërkuarave në internet. Ai tha se togfjalëshi më i kërkuar prej disa kohësh është ChatGPT: “Nëse e marrim në një term më të gjerë Luizi është në vend të tretë, është prapë ChatGPT që ia merr’’,- tha Kallanxhi.
Po çfarë është ChatGPT?
ChatGPT është emri i një roboti i prezantuar së fundi nga inteligjenca artificiale dhe kompania OpenAI. Ky robot, një aplikacion softuerik, është i dizajnuar për të imituar bisedat që zhvillohen mes njerëzve, në varësi të kërkesave të tyre. Modeli ChatGPT i robotit, i trajnuar për të përdorur teknikën e mësimit të makinës, mund të stimulojë bashkëbisedimet, t’u përgjigjet pyetjeve përcjellëse, t’i pranojë gabimet, të sfidojë qëndrimet jokorrekte dhe të refuzojë kërkesat e papërshtatshme etj.