Fqinjët e Malit të Zi kanë hapur dje sezonin turistik me një koncert madhështor në Ulqin, ku kanë qenë të ftuar shumë politikanë rajonalë. Bie në sy prania e një numri të madh politikanësh shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kryeministri në detyrë Dritan Abazoviç ka ftuar homologun shqiptar Edi Rama dhe bashkëshorten e tij Linda, ministren Elisa Spiropali dhe kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci, shkruan newsbomb.al.
Ndërkohë, nga Kosova e pranishme është presidentja Vjosa Osmani, e cila shoqërohet nga bashkëshorti dhe nga dy vajzat e vogla, si dhe kryebashkiaku i Prishtinës Përparim Rama. Ky i fundit shihet duke qëndruar krah Benet Becit të Shkodrës.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm për Maliqn e Zi, ku Abazoviç është kujdesur të ftojë politikanët shqiptarë, mungon kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Nuk dihet nëse atij nuk i ka shkuar një ftesë, apo Kurti ka refuzuar të jetë krah Ramës, pas “përplasjeve” të fundit në distancë.
Edi Rama ka propozuar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe ka kërkuar nga zyrtarët e lartë në Bruksel që Kurti dhe Vuçiç të ulen në një konferencë të nivelit të lartë dhe të mos dalin prej saj pa një marrëveshje. Kjo, pasi përshkallëzimi i konfliktit mes dy vendeve mund të rrezikojë gjithë Ballkanin.
Ideja e kryeministrit shqiptar është pranuar nga negociatorët e BE dhe vetë presidenti Michel apo shefi i politikës së jashtme Borell, shkruan newsbomb.al.