Rusia dhe Ukraina po akuzojnë njëra-tjetrën për komplot për të organizuar një sulm në stacionin bërthamor të Zaporizhias. Zona është nën kontrollin e forcave ruse dhe objekt i akuzave të vazhdueshme të ndërsjella ndërmjet dy vendeve, duke shtuar rrezikun për një katastrofë bërthamore. Ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore thanë sot se nuk kanë parë shenja për vendosje minash ose lëndësh të tjera shpërthyese në kompleksin bërthamor, por shtuan se do të kërkojnë leje për kontrolle më të imtësishme, veçanërisht në çatitë e reaktorëve 3 dhe 4, si dhe në zonat ku ndodhen turbinat dhe sistemet ftohëse të centraleve.
Rajoni i Zaporizhias u mor nën kontrollin e forcave ruse që prej ditëve të para kur Moska nisi agresionin kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në këtë zonë gjendet edhe objekti më i madh bërthamor i Evropës me gjashtë reaktorë.
Duke iu referuar njoftimeve të agjencive të zbulimit, Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky tha dje se forcat ruse kanë vendosur “objekte që ngjajnë si eksplozivë” mbi disa prej centraleve për të krijuar idenë e një sulmi dhe për të fajësuar për të Ukrainën. “Objektet janë në çatinë e centralëve 3 dhe 4. Shpërthimi i tyre nuk do t’i dëmtojë centralet, por mund të krijojë përshtypjen e një bombardimi nga Ukraina”, u shpreh sot në një deklaratë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodmyr Zelensky shkroi të martën në rrjetin social ‘Twitter’ se i kishte thënë presidentit francez, Emmanuel Macron në një bisedë telefonike se “trupat pushtuese ruse po përgatisin provokime të rrezikshme në Zaporizhia”.
Moska nga ana e saj akuzoi sot Ukrainën për mundësinë e një sulmi ndaj Zaporizhias.
“Kërcënimi i një lloj sabotimi ukrainas ndaj termocentralit bërthamor të Zaporizhias është i madh dhe po merren masa për t’iu kundërvënë një kërcënimi të tillë”, u shpreh Kremlini të mërkurën.
Asnjëra palë deri më tani nuk ka dhanë prova për pohimet e tyre, por akuzat e ndërsjella janë bërë rregullisht gjatë vitit të fundit.
Më 5 gusht të vitit të kaluar një zjarr i madh shpërtheu afër uzinës bërthamore të Zaporizhias.
“Pushtuesit bombarduan dy herë brenda ditës termocentralin bërthamor të Zaporizhias. Ky është një krim i hapur flagrant, një sulm terrorist”, tha presidenti ukrainas Zelensky më 5 gusht të vitit 2022.
Më 27 gusht, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë akuzoi Ukrainën për tre sulme.
“Regjimi i Kievit vazhdon aktet e terrorizmit bërthamor në centralin e Zaporizhias. Në total u lëshuan 17 raketa”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Knashenkov.
Një ekip nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) u nis më 31 gusht nga kryeqyteti ukrainas drejt termocentralit bërthamor të Zaporizhias për të inspektuar zonën. Misioni u drejtua nga shefi i Agjencisë Rafael Grossi. Megjithatë luftimet dhe sulmet vazhduan, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara propozoi krijimin e një zone të çmilitarizuar.
“Si hap i parë, forcat ruse dhe ukrainase duhet të mos përfshihen në asnjë aktivitet ushtarak drejt zonës së centralit. Hapi i dytë, është sigurimi i një marrëveshjeje për një perimetër të çmilitarizuar”, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Propozimi u pranua nga presidenti ukrainas, Zelensky, por duke kërkuar që trupat ruse të largohen nga zona në tërësi. Presidenti rus Vladimir Putin megjithatë vazhdoi akuzat se janë forcat ukrainase ato që po kryejnë sulme në Zaporizhia.
“Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike nuk mund të thotë se bombardimet vijnë nga territori ukrainas nga presioni i vendeve ku ata punojnë. Por kjo është e qartë pasi ne kontrollojmë zonën; ushtarët tanë janë atje dhe të mendohet se ne po qëllojmë vetveten është absurditet i plotë”, tha presidenti Putin më 7 shtator të vitit 2022.
Një nga deklarimet e fundit të shefit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi nuk ofron optimizëm se situata po përmirësohet.
“Unë mendoj se në përgjithësi situata nuk po përmirësohet. Është e qartë se aktiviteti ushtarak po rritet në të gjithë rajonin”, tha më 23 mars, drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi.
Më 26 shtator Rusia mbajti një referendum për bashkimin e katër rajoneve të okupuara ukrainase, përfshirë Zaporizhian, me Rusinë. Moska më vonë ratifikoi aneksimin e rajoneve Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia në bazë të rezultatit të referendumeve që nuk njihen nga perëndimi.
Javën e kaluar punonjësit e shërbimit emergjent të Ukrainës zhvilluan një stërvitje për t’u përgatitur për rrezikun e rrezatimit nga uzina bërthamore. Sipas Shërbimit Emergjent të vendit, në rast të një katastrofe bërthamore, të paktën 300 mijë njerëz duhet të evakuohen nga zona përreth uzinën së Zaporizhias.
Zyrtarët e Ukrainës thonë se reaktorët, të cilët tani janë të fikur, janë të rrethuar nga shtresa të trasha betoni.
Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike tha javën e kaluar se “një sulm rus në Zaporizhia ndoshta nuk do të çonte në përhapjen e gjerë të sasive të konsiderueshme të rrezatimit” për shkak të hapave paraprakë të ndërmarrë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.
Megjithatë, grupi i ekspertëve vuri në dukje se era mund të çojë një sasi rrezatimi drejt Rusisë.