Shfaqja e filmit “Oppenheimer”, në kinematë e Kosovës krahas me kinematë në tërë botën, përveç Japonisë, krijon ndjesinë e të qenit i barabartë me qytetarët e globit, të paktën në këtë segment. Kjo ndjesi është tejet e rëndësishme kur dihet fare mirë se në vendet si Kosova qytetari ballafaqohet me shumë sfida dhe pabarazi. Prandaj, për mua, fakti se edhe ne tash kemi mundësi ta shohim këtë film paralelisht me qytetarët e botës është jo vetëm lajm i mirë por edhe përparim.
Entuziazmi për ta parë filmin “Oppenheimer”, është i lartë, duke marr parasysh se është projekt ambicioz i regjisorit Christopher Nolan dhe njëherësh, një prej filmave më të pritur të këtij viti.
Filmi paraqet një vështrim biografik të një prej personazheve më të diskutueshme dhe më interesantë në historinë amerikane. I bazuar në biografinë e vitit 2004 “Prometheu Amerikan: Triumfi dhe Tragjedia e J. Robert Oppenheimer” të fizikanit teorik J. Robert Oppenheimer, udhëheqësit të Projektit Manhattan që prodhoi armët e para bërthamore, shkruar nga Kai Bird dhe Martin J. Sherwin për një periudhë njëzet e pesë vjetësh. Këtu, Nolan trajton një nga trashëgimitë më të kontestuara të shekullit të 20-të – atë të J Robert Oppenheimer, “babai i bombës atomike” si një enigmë matematikore që duhet zgjidhur.
Filmi nis me mitin e Prometheut, me fjalët: “Prometheu e vodhi zjarrin prej perëndive dhe ia fali njeriut, për këtë ai u lidh në një shkëmb dhe u torturua përjetësisht.” Ndryshe nga Prometheu shprehet Oppenheimer pas testit të parë të bombës atomike Trinity duke cituar një rresht nga një shkrim i shenjtë hindu “Tani unë jam bërë Vdekja, shkatërruesi i botëve”, i vetëdijshëm për fuqinë e jashtëzakonshme dhe të tmerrshme të bombës atomike që ai kishte krijuar.
Rrëfimi nuk është linear, ngjarjet shfaqen paralelisht duke kapërcyer nga fundi në mes dhe fillimi në fund. Pra historia nuk ndërtohet gradualisht; përkundrazi, Nolan të hedh papritur në vorbullën e jetës së Oppenheimer me skena të gjalla të tij gjatë periudhave të ndryshme dhe sfidave të cilat e përcjellin. Në Oppenheimer, jeta private, e brendshme dhe politike e njeriut është një, secila komponent e këtij ekuacioni të madh e përcakton shpirtin e një njeriu. Duket se motivi për t’iu përveshur punës në krijimin e bombës atomike, gjatë luftës së dytë botërore ishte që Amerika ta ketë një armë të tillë e para Gjermanisë, duke pas parasysh përparimin e nazizmit dhe siç shprehet Oppenheimer “t’i jepet fund të gjitha luftërave” por siç duket ai ishte tepër naiv për të kuptuar se krijimi i bombës atomike edhe mund të ndihmoj në përfundimin e luftës por me çfarë çmimi për njerëzimin!
Periudha të ndryshme të jetës së tij shfaqen në film, duke nisur nga koha e tij në Gjermani si doktorant, deri në pozitën e profesorit në UC Berkeley ku edhe bënë emër si studiues i fizikës kuantike. Por në thelb ai është më shumë se kaq, aty e shohim se ai u dërgon para antifashistëve që luftojnë në Luftën Civile në Spanjë, se nxit sindikalizimin e punëtorëve dhe profesorëve të laboratorit dhe mbështet komunistët vendas por asnjëherë nuk bëhet anëtarë i partisë komuniste megjithëse inkurajohet nga vëllai i tij. Në një grupim komunistësh ai e takon gruan e tij të ardhshme e cila po ashtu ishte komuniste.
Fillimi i filmit nis me seancën dëgjimore të vitit 1954 të Komisionit të Energjisë Atomike të SHBA-së e cila rezulton me akuzën se Oppenheimer (ndër të tjera) kishte fshehur lidhjet e tij me komunizmin. Kjo si duket ishte mënyra e qeverisë për ta heshtur atë, pasi që në periudhën e pasluftës qëndrimet e tij për çështjen e armëve bërthamore ndërrojnë dhe nuk përputhen me qëndrimet e Amerikës në Luftën e Ftohtë. Seanca dëgjimore ishte kapitulli më i errët i jetës së Oppenheimer.
Në fund të filmit, Oppenheimer më në fund kupton atë që shumë nga kolegët e tij e kanë thënë që në fillim. Asgjë nuk do të jetë e njëjtë për shkak të tij. Nuk ka paqe tani, ka vetëm frikë nga asgjësimi bërthamor.
Përfundimisht filmi e bënë atë që edhe duhet ta bëjë, e dramatizon jetën e Oppenheimer dhe njerëzve të tjerë historikisht të rëndësishëm në orbitën e tij në mënyrë estetikisht të guximshme. Pothuajse të gjitha personazhet dhe të gjitha ngjarjet përdoren në mënyrë metaforike dhe simbolike, duke plotësuar mozaikun e misterit të ndikimit të këtij shkencëtari që sajoi shpikjen më të tmerrshme të të gjitha kohërave.