MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë shkaqet më të zakonshme të tensionit të ulët?

24.08.2023 - 09:20

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë shkaqet më të zakonshme të tensionit të ulët?

Mjeku: Ka disa kushte mjekësore në të cilat mund të ulet presioni i gjakut të tilla, si:

humbja e gjakut (hemorragjitë e ndryshme, operacionet), sëmundje të tiroides, shtatzania, infeksionet e ndryshme, reaksionet alergjike, anemitë, mangësitë në ushqyerje, mjekimet që kurojnë zemrën dhe presionin e lartë të gjakut etj. Nëse tensioni juaj bie nën 30 për qind të vlerave tuaja personale normale, atëherë kjo situatë kërkon paraqitjen tek mjeku dhe ekzaminimet e domosdoshme për të evidentuar shkakun.

Natyrisht që disa njerëz kanë presion të ulët të gjakut, si për shembull atletët. Në përgjithësi tensioni i ulët është më i mirë se tensioni i lartë i gjakut për sa i përket rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru.

Të gjithë e dimë rrezikun e hemorragjive cerebrale nga tensioni i lartë i gjakut. Por, rreziqet për trurin janë shumë të mëdha edhe kur tensioni është i ulët, domethënë që truri nuk furnizohet me sasinë e gjakut që i nevojitet.

Po kështu nga mungesa e furnizimit me gjakun e duhur vuajnë edhe organet e tjera, si: zemra, veshkat, mëlçia, zorrët, etj. Kështu ndodhin ato që quhen ishemi. Pra, ishemia nuk ndodh vetëm kur bllokohen enët e gjakut nga trombet apo sklerotizimi i tyre, por edhe kur fluksi i gjakut nuk është në sasinë e duhur.

Detyra e veshkave është të eliminojë toksinat (helmet) nga trupi ynë. Por, nëse fluksi i gjakut, është i ulët atëherë veshka nuk filtron si duhet dhe substancat toksike mbeten në gjak dhe shkaktojnë dëme për shëndetin. Kur sasia e gjakut është e pamjaftueshme edhe sasia e oksigjenit është e pamjaftueshme, dhe kështu do të ndeshemi me simptoma të tilla si zalisja (ndjenja e të fikëtit), marramendje ose edhe më keq, atakët në tru edhe në zemër.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.