Ky sezon, pa frikë mund të cilësohet si më i favorshmi i kulturës shqiptare. Një vërshim turistësh kureshtarë, që ikin për t’u rikthyer. E në mbyllje, sezoni shpalos kulmin e vet. Vera në Shqipëri, numëron ditë intensive ngjarjesh. Ndërsa një mbyllje më festive se kaq, nuk mund të kishte.
Shqipëria do të mbajë turneun më të madh të shahut, në Europë. Bëhet fjalë për Champions-in e shahut dhe për të, për ABC-në, flet Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Mjeshtri i madh, Erald Dervishi.
“Më datë 30 shtator, deri më datë 8 tetor, Federata Shqiptare e Shhahut në bashkëpunim me Federatën Europiane të Shahut do të organizojnë Kampionatin europian të klubeve. Është Champions-i i shahut, Bundesliga e shahut, me një fjalë. Marrin pjesë skuadrat më të mira europiane, të cilat do të kenë në përbërjen e tyre, shahistët më të mirë në botë.
Nga 50 shahistët më të mirë në botë aktualisht, rreth 35-40 prej tyre do të jenë prezent në Durrës, Shqipëri. Dhe kuptohet, në këtë mes, qershia mbi tortë është kampioni aktuali i botës, norvegjezi Magnus Carlsen.”
Në bregdetin e Durrësit, do të thyhet çdo rekord
“Këtë vit është thyer rekordi, me distancë të thellë ndaj herës së mëparshme, që ishte 87 ekipe. Këtë vit, deri më tani janë të regjistruara 106 ekipe dhe me shumë mundësi, do të kapim shifrën 115, pse jo edhe më tej.
Besoj se një prej aryseve kryesore të këtij rekordi është edhe kurioziteti… Do të mundohemi, aq sa kemi mundësi të shpalosim nga historia, traditat, kulturën shqiptare, spotet kryesore turistike.”
Shpenzimet janë të mëdha… por, mbështetja, e vogël
“Pjesa logjistike ka hasur pak probleme, por shpresoj të gjejmë mënyrën e duhur, për të përballuar me sukses edhe një event kaq madhor. Nuk kemi pasur ndonjë mbështetje të posaçme, po themi, nga Ministria e Sportit.”
“Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër ceremoninë e mbylljes, që nuk është një mbështetje e vogël.”
A do të ketë sadopak Shqipëri, në Champions-in e shahut?
“Ne do të kemi 4 ekipe shqiptare. Shpresojmë së paku, që njëri prej tyre të jetë në nivel konkurrues dhe të ngjitet ndër 20 vendet e para. Do të luajë: Tirana, Partizani, Teuta dhe Saranda.”
achf.org.al