Të pathënat e ngjarjes që zbuloi të vërtetën e misionit të 007-s së famshme të zbulimit sekret shqiptar në oborrin e ish-mbretit Zog
Vijon nga numri i kaluar
Arratisja e Islam Skepit me 25 të tjerë nga mali i Korabit në maj të viti 1958 shkaktoi një tërmet të furishëm në organet e diktaturës. I pari që u kryqëzua ishte kryetari i degës së Brendshme të Peshkopisë, që humbi jo vetëm funksionin e besuar, por dhe teserën e Partisë. Pastaj krejt zinxhiri i komandimit të organeve të sigurimit dhe kufirit të zonës veriore ju nënshtruan një reprezalje të madhe.
Përtej asaj çfarë ndodhte këtej, dërgata e të arratisurve që mbërriti në tokën jugosllave nuk do të prekte menjëherë lirinë e premtuar. Për mysafirët e paftuar, bujaria e munguar e autoriteteve lokale, nuk ishte diçka e papritur. Askush syresh nuk e kishte menduar as në ëndrrën më të mirë qëndrimin këtu si zgjidhjen fatlume. Aventura e jashtëzakonshme për kapërcimin e Korabit përmes breshërive të plumbave, nuk kishte cak Jugosllavinë, por Perëndimin. Me këtë bindje ata e përballuan sfilitjen e komshinjve besëprerë që zgjati jo pak po gati 10 vite. Në krye të 10 viteve me përkujdesjen e zyrtarëve të OKB-së për të drejtat e njeriut, morën rrugën drejt “Tokës së premtuar”. Së fundi, fati kishte qenë me ta. Tashmë qytetar të lirë të Belgjikës, filluan një jetë të re. Megjithatë, tregon për “Panorama” Sakip Skepi, ai djaloshi 5-vjeçar i ditës së arratisë, me sy e mendje mbetëm nga Shqipëria, vendlindja jonë e dashur. Pjesa në vijim e rrëfimit të tij fokusohet te historia e mërgatës shqiptare dhe mënyra si survejohej ajo nga sigurimi i shtetit, duke u ndalur veças te rasti i zbuluesit të famshëm Çufe Mullai që arriti deri në oborrin e Mbretit Zog. Për herë të parë Skepi zbardh ngjarjen e panjohur që dogji përfundimisht 007-n e Kadri Hazbiut. Njëherazi ai tregon indinjatën dhe përjetimet e mërgatës shqiptare të Belgjikës për romanin e Nasho Jorgaqit “Mërgata e qyqeve” që fund e krye mbante për personazh spiunin e djegur Çufe Mullai…
Zoti Sakip, sa kohë qëndruat në Maqedoni dhe si mundët të largoheshit prej andej për të marrë azil politik në Belgjikë?
Ne qëndruam në Jugosllavi nëntë vjet e gjysmë dhe pastaj bëmë kërkesë për tu larguar në Perëndim. Kjo pasi im atë kundërshtoi idenë për të bashkëpunuar me organet sekrete që të kthehej në Shqipëri si diversant për llogari të tyre. Belgjika u tregua bujare dhe na pranoj si refugjatë politik. Pastaj u vendosem këtu dhe morëm dhe nënshtetësinë. Im atë nuk e mori nënshtetësinë belge, ngeli thjeshtë refugjat nën Konventën e Gjenevës.
Pse zgjodhët Brukselin dhe jo ndonjë vend tjetër të Perëndimit?
Belgjika nuk ishte zgjedhja jonë. Në këmbëngulëm të shkonim në Perëndim dhe Belgjika me sa duket ishte zgjedhja më oportune e autoriteteve të OKB-së. Rëndësi për ne kishte t’I shpëtonim Jugosllavisë dhe vendeve komuniste…
Cili ishte kontakti i parë i familjarëve tuaj me shqiptarët e emigruar më herët në Bruksel?
Kontakti i parë sigurisht ishte plotë emocione. Se, siç e thashë, ne ishim një grup 26 veta që u arratisem së bashku. Ka qenë kjo arratisja ma e madhe që kishte ndodhur deri atëherë në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi disa nga grupi u ndanë dhe emigruan para nesh ne Perëndim – Belgjikë. Mbërritja jonë aty ishte një gëzim I madh sa për ne dhe për ata. Në Belgjikë mbërritëm fal Organizatës Katolike Belge. Ajo mori përsipër të gjitha shpenzimet, si dhe gjetjen e banesës bashkë me kompletimin e saj. Njëherazi na siguruan ndihmën financiare deri sa u sistemua im atë më punë.
Në Bruksel në atë kohë kishte dhe organizime politike të shqiptarëve në emigrim, ku dominonte Partia e Legalitetit, ndërkohë që babai juaj njihej për prirje nacionaliste, pse vendosi të qëndrojë larg këtyre organizimeve?
Këtu, në planin politik dominonte Partia e Legalitetit. Im-at kishte pasur rezerva për të që kur ishim në Shqipëri, pasi si familje kemi qenë të përbuzur nga sistemi i Zogut. Megjithatë, nuk është krejt kjo arsyeja. Arsyeja e vërtetë ishte se im-atë kishte bindjen që rreshtimi adekuat në politikë të kufizonte në shërbimin ndaj kauzës për çështjen kombëtare. Sakaq, ai e dinte fort mirë se sistemi represivo-komunist që kishim lënë në Shqipëri kishte infiltruar në radhët e partive politike njerëz të sigurimit. Këtë e kishte bindje të patjetërsueshme. Po kishte dhe një motiv tjetër që u qëndronte larg rrymave politike shqiptare që shfaqeshin në perëndim. Fakti që në Shqipëri kishin mbetur dy motrat, e shtrëngonte babën t’i rrinte larg politikës që mos ta rëndonte më shumë pozitën e tyre.
A kishit kontakte me motrat që kishit në Shqipëri dhe si rrodhi fati i tyre pas arratisë tuaj?
Sa për fatin e tyre, dihet si përfundonin familjarët e të arratisurve në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Presekucioni dhe vuajtjet pa fund të tyre janë të paimagjinueshme për kohën e sotme. Largësia me to, gjendja e tyre në atë geto, ishin brengat më të mëdha të babait dhe nënës… Nuk bëhej fjalë të kishit lajme për to… Tek ne, në Bruksel, d.m.th. në shtëpinë tonë, vinin për çdo dite vizitorë të mërgatës. Disa vinin se na donin, disa për me na mbushë mendjen me u futë në parti politike. E disa për me pa se çfarë qëndrimi po mbanim. Ishte një epokë shumë e errët. Nuk dinim kujt me i besu. Por, im atë nuk lëvizte nga bindjet e veta. U desh një farë kohe që gjerat të qartësoheshin me mire. Sa për kontaktin me motrat as që bëhej fjalë. Kur kishim ca kohë që kishim mbërritur në Bruksel, provuam tu bëjmë letra e madje dhe tu telefonojmë. Po ishim të bindur se çdo syresh filtrohej nga sigurimi…
Pra e dinit se bisedat telefonike që kishit me motrat dhe të afërmit e tjerë në Shqipëri u përgjoheshin nga sigurimi?
Për shumë e shumë kohë lidhje telefonike nuk kishim fare. Të vetmen lidhje telefonike që arritëm të kemi ka qenë ajo e qershorit të vitit 1978. Ne bamë një kërkesë sa për ta provuar, po pa shumë shpresë. Çuditërisht na lidhi qendra telefonike e Belgjikës me Beogradin, e prej andej u lidhëm me Peshkopinë. Një çast, u habitëm e na dukej e pabesueshme! Nga krahu tjetër i telefonit doli dhëndri jonë. Nuk na mbushej mendja që ishte ai, aq sa kur e mbyllem telefonatën, nuk ishim të qartë a ishte ai apo ndonjë operativ sigurimi. Veç kur është hapë Shqipëria ne 1991 mësuam se kishte qenë ai. Për letra ishte pak ma ndryshe. Merrnim vetëm letrat që përmbanin lajme të këqija, kryesisht ato me lajme vdekje apo fatkeqësi familjare. Veç tyre nga Shqipëria na vinin letra që dërgonin operativët e sigurimit në emër të familjarëve tanë. Ato përgjithësisht adresoheshin në emrin tim. E gjithë fabula e tyre kishte të bënte me thirrjet djallëzore për të me bindur që të kthehesha në Shqipëri, e cila sipas tyre bërë bahçe me lule. Sakaq, babain vazhdonin ta quanin tradhtar. Ne i dinim këto marrëzi e nuk reagonim.
Në dokumentet e sigurimit, kryesisht në dosjen e babait dhe tuajën, rezulton se jeni ndjekur hap pas hapi nga agjentët e tij në Bruksel. E ndjenit këtë në përditshmëri?
Sigurimi i shtetit ka qenë një përbindësh, së paku kështu ka qenë perceptimi i asaj periudhe në mërgatën shqiptare në Bruksel. Në ato fillime kur erdhëm këtu unë kam qenë i vogël dhe nuk e kisha idenë e policisë së fshehtë të Tiranës. Vonë, kur u rrita im atë më tregonte ç’përfaqsonte sigurimi dhe njëherazi më këshillonte si të ruhesha nga vëzhgimi i tij. Dy motrat që kishim lënë në Shqipëri dhe familjet e tyre e kanë provuar reprezaljen e sigurimit. Ato i dinë tmerret që kanë kaluar nga përndjekja e operativëve dhe agjentëve të fshehtë. Ka qenë kohë kolere atëherë…
A mund të na shpjegoni si operonte sigurimi i shtetit në një vend të huaj si Belgjika kur si shërbim i përkiste zyrtarisht republikës së Shqipërisë që do të thotë se vepronte brenda kufijve shterëror?
Sigurimi i shtetit asnjëherë nuk ka operuar vetëm brenda kufijve zyrtar të Shqipërisë. Ka pasur departamente të caktuara që vepronin jashtë vendit, me një rrjet të organizuar. Gjatë tërë kohës mërgatën shqiptare e ka monitoruar dhe vëzhguar këmba këmbës kjo strukturë e mirorganizuar…
E keni fjalën për pjesën e zyrtarëve që mbulonin këtë shërbim në ambasadat tona jashtë vendit…
Pak a shumë ato diheshin, pavarësisht se në emërtime zyrtare nuk cilësohej lloji i shërbimit të tyre. Po më shumë nga këta zyrtarë gjysmë legal, nëse mund të themi, diaspora në Bruksel, vëzhgohej e ndiqej nga një rrjet i tërë zbuluesish të fshehtë. Ata në pjesën më të madhe ishin infiltruar me legjenda nga më të ndryshmet në radhët e mërgimtarëve dhe organizatave e shoqatave të tyre. Disa syresh kishin ardhur në Bruksel me statusin e të arratisurit nga regjmi i Enverit. Kishte që pretendonin se ishin pinjollë të familjeve të klasifikuara me termin reaksionare. Kishte sakaq dhe të tjerë që kishin lindur në Bruksel e ishin përpunuar nga organet shqiptare. Ka qenë një filozofi e tërë e zbulimit shqiptar të asaj kohe për tu futur në radhët e mërgatës me tagrin e antikomunistit, çfarë krijonte besueshmëri dhe sillte pasoja të pallogaritshme…
Një ndër ta ka qenë dhe zbuluesi i famshëm Çufe Mullai…
Historia e tij ka qenë vërtetë e bujshme. I gjendur në Bruksel si i arratisur dhe ithtar i mbretit Zog, bëri goxha karrierë në lidershipin e Partisë së Legalitetit. Madje arriti të futej dhe në oborrin e mbretit kur ishte në Francë. Në një kohë të shkurtër u bë një nga njerëzit më të besuar të këtij të fundit. Atëherë flitej se ai kishte mbajtur fjalimin e rastin në ceremoninë e vdekjes së Zogut. Shkurt, me atë që shfaqej askush nuk mund ta vinte në dyshim aktivitetin e tij. Është kjo periudha kur Çufe Mullai skanoi nga afër tërë aktivitetin e mërgatës dhe liderëve të saj në interes të zbulimit sekret të Shqipërisë. Jetojnë akoma sot në Bruksel mjaft dëshmitarë që e kanë njohur nga afër dhe tregon me detaje të dyja anët e medales të misionit të tij, si “legalist” i thekur, por dhe si zbulues i fshehtë…
E megjithatë, një ditë u zbulua misioni i tij i fshehtë. Në Shqipëria asnjëherë nuk është zbardhur si u dogj 007 e famshme Çufe Mullai…
Kjo ka qenë krejt një rastësi. Çufe zbuluesi që operoi me sukses disa vite nën rrogoz, u zbulua krejt papritur në një gosti…
Me sa duket nga alkooli tej masës…
Pak a shumë, alkooli u bë shkak për të njohur Çufen e vërtetë, asokohe kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit të Belgjikës. Ishte një gosti në shtëpinë e kryelegalistit të Brukselit, mikut të tij të vjetër Hasan Hoxha, nga Tropoja, që e nxorri zbuluar 007 e regjimit të Hoxhës. Disa orë bisedë me gotën e rakisë përpara, me sa duket e hutuan Çufen e famshëm, i cili kur doli harroni çantën aty. Atë çantën misterioze që nuk e hiqte kurrë nga supi. Një çast Hasani u bë kurioz dhe e hapi. Miku i orës së vonë ruante aty dokumente komprometuese, që nuk kishin lidhje me partinë e Legalitetit, por me misionin e vërtetë të tij. Kaq u desh dhe fjala mori dhenë. Kryelegalisti dhe miku i Zogut na ka rrjet. Na ky moment zbuluesi i Kadri Hazbiut do t’ia mbathte fshehtas e për gjithë natë u gjend në ambasadën shqiptare në Paris. Prej aty si kartë e djegur tashmë mbërriti në Tiranë te ustallarët e vet.
Zbuluesi Çufe Mullai, përndryshe Manush Kelmendi, personazhi kryesor i romanit “Mërgata e qyqeve” të Nasho Jorgaqit…
Po ndodh një çudi me këtë mërgatën e Nasho Jorgaqit. Një çudi e pakuptimtë. Kanë kaluar mbi 30 vjet kur në Shqipëri është përmbysur një herë e mirë regjimi komunist, dhe akoma vepra të tilla qëndrojnë në ballinën e librarive, madje vazhdojnë të vlerësohen si qëmoti. Ajo fund e krye është një vepër propagandistike, një vepër e porositur nga lart për të treguar vlerat e famshme të sigurimit të shtetit. Aty Nasho Jorgaqi e ngre në qiell Manush Kelmendin, alias Çufe Mullajin, për kontribute të jashtëzakonshme për ruajtjen e Shqipërisë socialiste. Nga kush e ruajti ky spiun i rëndomtë Shqipërinë? Nga ne emigrant politik të Brukselit që e deshëm vendin tonë sa dhe jetën. Nga atdhetarët e nacionalistët që fati i kishte sjellë këtu, por me mendje e zemër ishin tërë jetën në mëmëdhe. Nga legalistët e oborrtarët e mbretit që pavarësisht rrethanave historike asnjëherë nuk menduan si të punojnë kundër Shqipërisë. Kjo është armata e antishqiptarëve të Nasho Jorgaqit. Sa për qasjen ideologjike, ajo ishte tjetër çështje. Ne gati të gjithë ishim antikomunist donim e predikonim një Shqipëri brenda suazës së Perëndimit. Tirana e Enverit asokohe na urrente e luftonte më shumë se armiqtë historik të Shqipërisë. E ky Nasho Jorgaqi, se është bërë për rahmet kohët e fundit, na del flamurtar i atij të famshmit revolucion që do zhduket armikun e brendshëm e bashkë me të dhe armikun e jashtëm, që parakuptonte kundërshtarët ideologjik të komunizmit që operonin në diasporë…
Megjithatë, një pjesë e mirë e emigrantëve nga Kosova që ishin në Belgjikë, e kanë mirëpritur romanin dhe e kanë çmuar si një vepër me vlera të spikatura patriotike…
Është e vërtetë, pjesa e kosovarëve që vinin asokohe në Belgjikë, e kishim për zemër regjimin e Tiranës dhe çdo gjë që vinte prej andej për ta ishte jo vetëm e besueshme po dhe shpëtimtare për çështjen e Kosovës. Ata nuk e dinin realitetin e Shqipërisë dhe besonin propagandën e regjimit. Shumica e tyre ishte viktimë e kësaj të fundit dhe ishte shumë problem të merreshe me ta. Kjo kategori u dashurua me romanin e Nashos. Veç kësaj kishte dhe një arsye tjetër që emigrantët kosovarë e pëlqenin narracionin e “Mërgatës së qyqeve”. Përç stigmatizimit që i bëhej në libër njerëzve të Zogut dhe në përgjithësi emigrantëve politik nga Shqipëria, në faqe të tëra shtjellohej me pozitivitet roli i mërgimtarëve nga Kosova për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare për çlirimin e Kosovës nga shovinizmi serbo sllav.