MENU
klinika

Fitoi primaret e PD në Kukës

Kush është drejtori i Policisë që prangosi ‘Eskobarin e Ballkanit’?

28.08.2023 - 12:44

Emri Vata është shpallur kandidati fitues i primareve në Partinë Demokratike, për të kandiduar për Bashkinë e Kukësit në zgjedhjet e 24 shtatorit, shkruan newsbomb.al. Mes pesë kandidatëve, ai mori shumicën e votave dhe Rithemelimi i Berishës njoftoi emrin e tij si fitues.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale e hapi procesin në orën 08.00 të së dielës dhe e mbylli në orën 18.00, me pjesëmarrës:

  • Ardian Sokol Elezi
  • Emri Haxhi Vata
  • Gëzim Beqir Shehu
  • Uran Rakip Cengu
  • Ylber Haxhi Zeneli

48 vjeçari është votues në Qarkun e Kukësit, anëtar i Kryesisë së partisë në këtë qark dhe anëtar i Departamentit të Sigurisë në Partinë Demokratike. Emri Vata ka një karrierë të suksesshme në Policinë e Shtetit, por dhe si jurist e avokat.

Ai ka lindur në fshatin Surroj të Kukësit dhe pasi ka ndjekur Akademinë e Rendit në Tiranë, në vitin 1998 ka shkuar në Turqi ku ka ndjekur Fakultetin e Shkencave të SIgurisë në Ankara. Në CV e tij shkruhet se në vitin 2002 është diplomuar nga nga Ministria e Arsimit në Turqi për Kompjuter.

Në të njëjtin vit ka marrë dhe titullin “Oficer i Lartë Policie” në Ankara, shkruan newsbomb.al. Dy muaj pas këtij titulli, Emri Vata ka ardhur në Shqipëri dhe është emëruar Specialist i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Qarkut të Kukësit.

Karriera e Emri Vatës ka pasur një sukses të madh në vitet e mëpasshme. Ai është emëruar e komanduar në poste të rëndësishme si shef krimesh, më pas në dogana.

Në vitin 2006, kur u emërua zv.drejtor i Policisë së Gjirokastrës ai arriti të prangoste për herë të parë Klement Balilin. I njohur si “Eskobari i Ballkanit”, atij ju kapën 750 kg drogë në tentativë për t’u transportuar drejt Greqisë.

Një vit më vonë, në vitin 2007 u emërua për herë Drejtues i Policisë së Qarkut Korçë.

Ka qenë drejtor dhe në tre qarqe të tjera, më pas ka dhënë mësim në Akademinë e Sigurisë, derisa anë vitin 2014 është liruar nga detyra me kërkesë të tij, pasi socialistët që sapo kishin ardhur në pushtet i kërkuan ulje në gradë, shkruan newsbomb.al.

Në vitin 2015, Emri Vata është emëruar nënkryetar i Bashkisë së Kukësit. Tetë vite më pas ai ka fituar primaret në PD e Kukësit dhe tenton që në zgjedhjet që do të përsëriten në 24 shtator të marrë drejtimin e bashkisë.