Një megaoperacion ndërkombëtar antidrogë është zhvilluar nga policia shqiptare në bashkëpunim me SPAK dhe Guardia di Finanza italiane. Mësohet se gjatë operacionit është goditur një grup kriminal me bazë në Fushë-Kuqe, të Kurbinit. Gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona ndërsa janë arrestuar 6 persona të cilët shkëmbenin kanabis me heroinë dhe kokainë, thanë burimet e gazetares së Report Tv Keti Banushi. Mes të arrestuarve është edhe ish-shefi i policisë Arlind Ismailukaj.
Policia ka bllokuar 4 gomone të nisura nga Laguna e Patokut ,ndërsa ka gjetur edhe një velierë të djegur nga anëtarët e grupit kriminal me qëllim fshehjen e provave.
Të arrestuar janë edhe shtetas të huaj, ndërsa ky grup kriminal trafikonte drogë në rrugë detare. Operacioni vijon ndërsa urdhërarrestet janë lëshuar nga SPAK.
Policia pritet të dalë me një komunikatë zyrtare për këtë operacion sot në orën 11:00.