Prokuroria e Posaçme ka njoftuar nisjen e hetimit pasuror ndaj disa prej personazheve të arrestuar si pjesë e grupit të Shkodrës, që u godit më shumë se një muaj më parë, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet ndërkombëtare të drejtësisë.
Paralelisht me hetimet për përfshirjen e personave të arrestuar, disa funksionarë të lartë të shtetit e të tjerë anëtarë të bandave kriminale, SPAK mësohet se ka nisur dhe hetim pasuror.
Bëhet fjalë për personat nën hetim: Xhevahir Lita, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Kukësit, Oltion Bistri, ish-shefi Operacionales dhe mbajtës i gradës Drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit, si dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka.
Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e B.K.H.-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale të ndodhura si më poshtë:
Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi, ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020.
Identifikimi i autorëve të dyshuar të vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Taulant Pepaj, ndodhur në Shkodër në muajin shkurt 2021.
Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit Kleant Musabelliu, ndodhur në Tiranë gjatë vitit 2020.
Identifikimi i autorëve të dyshuar në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve Dorjan Dhuli, Iibrahim Lici dhe Genc Tafili, ndodhur gjatë vitit 2020.
Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK, është bërë e mundur të dokumentohet se persona me precedent kriminal, të dënuar për vepra të rënda penale, kanë kryer edhe ngjarje të tjera kriminale për të cilat vijojnë hetimet.
Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publik, punonjës të policisë së shtetit të nivelit drejtues, punonjës të policisë të shtetit të nivelit të lartë drejtues, si dhe prokuror, të cilët cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.