Koncerti simfonik “Zemërimi i Zotave” do të çelë sezonin artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti i Orkestrës Simfonike të TKOB, ku janë të ftuar dhe artistë të huaj do të zhvillohet mbrëmjen e datës 2 shtator me dirigjent maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli. Koncerti i parë që çel këtë sezon artistik shtator-dhjetor 2023, siç shprehet drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Abigeila Voshtina është një premierë për të gjithë adhuruesit e muzikës simfonike. “”Zotat” e muzikës simfonike do të shfaqin zemërimin e tyre në TKOB! Sezoni artistik shtator-dhjetor 2023 do të çelë siparin me koncertin simfonik “Zemërimi i Zotave”, i sjellë si një premierë e padiskutueshme për të gjithë adhuruesit e muzikës simfonike”, shprehet drejtoresha Voshtina në rrjete sociale për këtë koncert që do të zhvillohet pas disa ditësh. Përballja e “Rapsodisë mbi një temë të Paganini-t”, nga kompozitori S. Rachmaninoff, dhe e Simfonisë nr. 1 “Titan” të G. Mahler-it, sjellë mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, do të përfshijë publikun në një udhëtim emocional nën interpretimin që padiskutim është shfaqje më vete- e maestros, Jacopo Sipari di Pescasseroli. Po në këtë koncert drejtoresha Voshtina shprehet në rrjete sociale se merr pjesë dhe pianisti Giuseppe Albanese. “Dhe për kënaqësinë e miqve tanë të TKOB-së, virtuozi italian në piano, Giuseppe Albanese, do të dhurojë një performancë të paharrueshme, përmes tasteve bardhezi, me meloditë mahnitëse të “Zotave””, shprehet Voshtina, që sipas saj do të jetë një mbrëmje, që nuk duhet humbur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Sezoni janar-qershor
Përgjatë sezonit artistik janar-qershor këtë vit, 83 vepra janë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për artdashës shqiptarë e të huaj, ndër to 36 premiera, të sjellë për herë të parë në Shqipëri dhe 47 vepra të rivëna. Në dhjetor të vitit 2022, drejtoresha e përgjithshme Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kalendarit artistik për këtë vit u shpreh se përmban një program me synim rritjen e cilësisë artistike. Drejtoresha Voshtina tha gjithashtu se TKOB i bashkohet dhe institucioneve të tjerë në botë në shpalljen e vitit 2023 si “viti Verdian”, ku nuk do të mungonin dhe kryeveprat e këtij autori. Sezoni artistik shtator-dhjetor 2023 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të çelë siparin me koncertin simfonik “Zemërimi i Zotave”, por në vijim priten të jenë në skenë dhe shfaqje dhe koncerte të tjera për publikun. Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë vijuar dhe gjatë sezonit të verës me koncerte të ndryshme për publikun, si pjesë e kalendarit turistik.