Telefona në fytyrë, kotoleta pule, mikrofona, pelushë…Çfarë tjetër ka mbetur pa iu hedhur në fytyrë artistëve nga vetë fansat e tyre? Pasi Cardi B i hodhi mikrofonin fanses që e lagu me ujë gjatë performancës në skenë, video virale e artistes tronditi jo pak njerëz!
Sjellja e fanses gjatë spektaklit të këngëtares duket se nuk është një dukuri kaq e rrallë dhe e izoluar sa mund ta mendonit, përkundrazi! Kohët e fundit, kjo po kthehet në një fenomen. Nga Bebe Rexha, Ava Max, Cardi B tek artistët si MC Kresha apo Noizy, janë vetëm disa nga emrat.
E nisim nga ngjarja e fundit, ku MC Kresha ishte duke kënduar në një klub të Kosovës, kur u godit me çakmak befasisht nga një fans. Reagimi i reperit? Ndaloi performancën dhe u largua nga skena.
Një fans iu ngjit Noizy-t në skenë pak kohë më parë dhe tentoi ta godiste. Por, ndërhyrja e truprojave të reperit neutralizuan situatën.
Këto ishin disa shembuj, por rastet janë të shumta.
Psikologët rendisin disa arsye që qëndrojnë pas kësisoj sjelljesh agresive.
Së pari, kufijtë mes fansave dhe të famshmëve janë zbehur pas rrjeteve sociale. Fansat kanë atë që njihet si një marrëdhënie parasociale me idhujt e tyre, një raport i njëanshme në të cilën fansi di shumë për personazhin e famshëm dhe si rezultat ndihet më IN.
Të gjithë kemi nevojë për t’u parë nga ata që na interesojnë, kështu që të vërehesh nga idhulli yt të bën të ndihesh i/e vlefshëm. Kur fansat hedhin objekte që kanë një lloj domethënieje personale për ta, të tilla si kafshë pelushi, byzylykë, ose lule (ose në rastin e Pink, hiri i një anëtari të familjes), kjo mund të jetë një mënyrë për t’i lejuar personazhit të famshëm të ndihet i afërt me fansin.
Të gjithë, fansa dhe jo fansa, janë dëshmitarë të videove virale çdo ditë dhe shumë njerëz duan që veprimi i tyre të vërehet, jo vetëm nga të famshmit, por potencialisht nga e gjithë bota.
Disa fansa imagjinojnë se duke i hedhur një telefon një këngëtari në skenë, ata mund të përfundojnë në TikTok të ndjekur nga miliona njerëz dhe janë të gatshëm të vënë në rrezik një person tjetër për ta arritur këtë.
Sado të kuptueshme të jenë këto impulse për fansat, rreziku është që normat e sjelljes në ngjarje si koncertet live mund të ndryshojnë, gjë që mund të çojë në hedhjen e sendeve më të mëdha që mund të rrezikojnë si artistin, po ashtu edhe të pranishmit e tjerë.