“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si të menaxhojmë temperaturën në kushte shtëpie
Mjeku: Temperatura e lartë (ethja) është një patologji e shkaktuar nga çrregullimi i qendrës hipotalamike, që është rregullatori i temperaturës. Temperaturë quhet mbi 37.5 gradë, kjo e matur gjithmonë të paktën 30 deri 60 minuta pas buke dhe i njëjti hark kohor duhet edhe pas një aktiviteti të sforcuar fizik.
Por si mund të kujdesemi në kushte shtëpiake kur kemi temperaturë të lartë?
Jepen antipiretikët (ilaçet që ulin temperaturën), ku më të përdorurit janë paracetamoli, ibuprofeni.
Antipiretikët jepen mbi temperaturën 38.2 gradë, gjithmonë sipas këshillës së mjekut dhe duke respektuar rigorozisht kohën e veprimit të medikamentit (ku në të shumtën e rasteve është 4-6 orë). Sidomos tek fëmijët duhet respektuar me përpikmëri.
Kujdes, asnjëherë nuk jepen të dy medikamentet bashkë, por një herë jepet njëri medikament, një herë tjetri, duke respektuar harkun kohor.
Në temperaturat mbi 39 gradë bëhen kompresa me ujë të ftohtë (jo me akull), të cilat vendosen në venat jugulare (në qafë poshtë veshit) dhe në venat femorale (rrëzë kofshëve).
Tek fëmijët duhet bërë heqja e mbulesave të tepërta dhe zhveshja e rrobave dhe mund t’i lëmë vetëm me trupore.
Gjithashtu, bëhet ajrosja dhe freskimi i dhomës herë pas here.
Në rastet me temperaturë të lartë bëhet banjë me ujë të vakët (jo të nxehtë) ku temperatura e ujit duhet të jetë 2-3 gradë nën temperaturën e trupit dhe banja duhet të zgjasë derisa të ulet temperatura.
Temperatura e ujit matet me termometër ose, në mungesë të tij, nëna mund të përdorë bërrylin e saj.
Tek fëmijët e vegjël nëna mund të bëjë mbështjelljen e bebit me një çarçaf të lagur. Në kushte shtëpie mund të përdorim dhe kompresa me raki dhe me uthull.
Tek të rriturit duhet të kemi parasysh se nuk duhet të rrinë të veshur shumë trashë dhe nuk duhet të rrinë shumë nxehtë, gjithashtu duhet të freskohet ambienti herë pas here.
Pirja e lëngjeve me shumicë, si: çajra të ngrohtë (jo të nxehtë), ujë dhe lëngje frutash etj. është e domosdoshme jo vetëm për uljen e temperaturës, por dhe për rehidrimin e të sëmurit.
Duhet të matet temperatura herë pas here, sidomos tek fëmijët e vegjël. Por kur shikojmë që temperatura nuk zbret krahas masave që përmendëm më sipër, duhet t’i drejtohemi menjëherë qendrës shëndetësore apo spitalore më të afërt, sidomos kur temperatura nuk zbret nën 40 gradë, sepse ekziston rreziku i konvulsioneve (të cilat mund të fillojnë edhe nën temperaturë më të ulëta se 40 gradë.)
Drejtohemi urgjent në qendrën spitalore dhe kur fëmija ka dridhje ose veprime të pakontrolluara, sepse jemi para një konvulsioni.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.