MENU
klinika

Marrëveshja e turpshme me Kremlinin

Si u bë Austria “delja e zezë e Europës”

15.08.2023 - 09:00

Gazeta britanike “The Economist” para pak kohësh publikoi një renditje të “idiotëve të dobishëm” të Vladimir Putin, të cilët janë vazhdimisht të varur nga Rusia. Austria zë vendin e dytë në këtë listë, pasi vendin e parë e zë Hungaria. Të themi të vërtetën, kancelari aktual austriak Karl Nehammer nuk ka faj për këtë, por kolegu i tij nga Partia Popullore Austriake ÖVP Sebastian Kurz po, sipas “Deutsche Welle”. Duket se kancelari po bën gjithashtu gjithçka për ta reduktuar këtë varësi nga Rusia. Kështu, dhjetorin e kaluar ai deklaroi se vendi i tij “reduktoi varësinë e tij nga gazi rus nga 80% në fillim të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në 20%”. Kjo ishte e vërtetë, por vetëm në momentin kur Nehammer e deklaroi. Rusia me të vërtetë uli furnizimin me gaz në Austri, por pas kësaj furnizimi vazhdoi dhe aktualisht gazi rus mbulon 60% të konsumit të austriakëve.

Mbushja e arkave ruse

Prandaj Wolfgang Müller nga Instituti për Historinë e Evropës Lindore në Universitetin e Vjenës thotë: “Varësia e Austrisë nga gazi nga Rusia nuk është ulur ndjeshëm që nga fillimi i luftës, pavarësisht nga të gjitha njoftimet politike”. Ndërkohë që Gjermania arriti të reduktojë pothuajse në zero pothuajse dy të tretat e gazit që konsumonte, që vinte nga Rusia, austriakët vazhdojnë të mbushin rregullisht arkat e Putinit. Müller thekson se kjo është “e dobishme” për Putinin për të paktën dy arsye: “Së pari, Austria është kaq e varur dhe kaq e ekspozuar ndaj shantazheve. Dhe pastaj janë paratë që, sigurisht, derdhen në arkat e agresorit të luftës”. Që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, Austria ka paguar rreth 7 miliardë euro në llogarinë e Gazprom. Kjo nuk duket shumë, duke marrë parasysh afro 390 miliardë të ardhura që Moska fitoi nga nafta dhe gazi i saj në atë periudhë, por nuk tingëllon aq e parëndësishme kur Muller e llogarit atë për numrin relativisht të vogël të popullsisë së Austrisë. Kjo shifër rezulton të jetë 590 euro për frymë për makinën ruse të luftës. “Kjo është disa herë më shumë ajo që i japim agresorit sesa ajo që u japim viktimave”, tha Muller.

“Faktori kyç”

Vjena ndihmon gjithashtu Ukrainën: një miliard ndihmë financiare, ndihma për refugjatët nga lufta dhe shumë të tjera të dhëna nga Austria ende zyrtarisht neutrale. Gjithashtu nuk është e drejtë të quash kancelarin aktual “idiot i dobishëm i Putinit”, sepse të gjitha kontratat janë lidhur para mandatit të tij. Personi kyç këtu është sigurisht ish-ministrja e Jashtme austriake Karin Kneissl, gjithashtu nga OVP, në dasmën e së cilës, pesë vjet më parë Putin ishte mysafir nderi. Ajo drejtoi Ministrinë e Jashtme të Austrisë nga viti 2017 deri në vitin 2019 si një zyrtare e Partisë së Lirisë së Austrisë së ekstremit të djathtë. Edhe vetë Kneissl nuk e fshehu kurrë afërsinë e saj me regjimin rus dhe dinte si ta shpërblente bujarisht besnikërinë e saj. Në vitin 2020, Kneisl u bë anëtare e bordit të drejtorëve të Rosneft dhe e mbajti atë pozicion fitimprurës deri në maj 2022, kur ajo dha dorëheqjen plot tre muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Sipas informacioneve të fundit, ajo është zhvendosur në Rusi dhe synon të punojë për “mikun e saj të mirë” në Kremlin, presidentin rus Putin. Ajo tha se miqtë e saj e ndihmuan të merrte me qira një shtëpi në Petrusovo dhe se jep mësim po aty. Po ashtu, Kneissl tha se është ftuar të punojë në qendrën GORKI, ku pritet të bëhet drejtuese.

Marrëveshja e turpshme

Pjesërisht gjatë mandatit të saj, OMV arriti një marrëveshje me Rusinë për furnizimin me gaz, ndonëse me një çmim pak më të favorshëm, por me një klauzolë “Merre ose Paguaj”. Me fjalë të tjera, edhe nëse Austria nuk do të marrë gjashtë miliardë metra kub gaz në vit, ajo duhet të paguajë për të. Kjo kontratë u zgjat, Putin mori pjesë personalisht në nënshkrimin e saj dhe është në fuqi për 17 vjet të tjera, deri në vitin 2040. Një analist i marrëdhënieve në Evropën Lindore nga Vjena pranon se kancelari aktual austriak po përpiqet t’i rregullojë gjërat dhe se ka “ndryshuar fjalorin” kur bëhet fjalë për Rusinë, por është fakt që Austria është ende e varur nga gazi rus, dhe se çfarëdo që Moska do të urdhërojë, Vjena do ta bëjë.