Në rrugët e Sarandës deri pas mesnate dëgjon vetëm italisht spanjisht dhe frëngjisht. Dhe këto nga mosha të reja prej 18 deri 30 vjeçare. Ecin trotuareve të ngushta të qytetit shpesh të zaptuar nga makina që hipin sipër, kryqëzohen në labirinte makinash parkuar si në Kandahar dhe vazhdojnë rrugën drejt diskove të qytetit apo vendeve ku duhet të kalojnë natën, pa asnje ankesë.
Shpërthimi i turizmit shqiptar nuk është çmimi. Ndoshta ai është një karrem për të tërhequr vëmendjen.
Me aq sa ndjehet qartë nga mbresat e tyre këtë verë, miliona pushues që kanë zbarkuar në Shqipëri, ajo që i tërheq më shumë, është liria për të bërë pushime në një vend pa shumë rregulla.
Edhe pse duket pak kontroverse, për miliona të rinj evropianë, Shqipëria është një zbulim. Adoleshentë që vijnë me prindërit e pinë alkol, disko që ofrojnë muzikë të mirë, restorante me kontraste të thella nga ata që mund të marrin yje deri tek ushqimi i rrugës, çmime nga ato të San Tropes deri tek ato të Divjakës, gjithçka është aq e ndryshme, aq e paparashikueshme, aq pa rregulla dhe aq e gjallë, sa është e parezistueshhme.
Për fat, këtë verë nuk ka pasur ngjarje të rënda.
Ngjarja më gazmore e verës është ikja e katër të rinjve italianë pa paguar në një restorant në Berat, një ngjarje që më gëzoi më shumë se çdo gjë tjetër, pasi e bën turizmin natyral të vërtetë, me gjithë problematikat e tij.
Edhe sjellja e stafit të restorantit ishte perfektë. E vetmja gjë pa vend ishte përfshirja e dy kryeministrave të Italisë dhe Shqipërisë në këtë histori duke e marrë seriozisht si kompensim dëmi.
Nderi që na ka bërë ai gjest nuk paguhet me 80 euro. Gjesti tregoi se jemi vend normal, dhe se në një turizëm kaq masiv dhe kaotik, ka vend për gjithçka dhe për mashtrime të vogla dhe zhgënjime ashtu siç ka vend për argëtim.
Mendoni dy vite me parë, Mihal Kokëdhimën që i ndiqte me thikë t’i vriste pse ikën pa paguar se nuk u pëlqeu shërbimi dhe stafin fantastik të Beratit që e morën me humor. Kjo është Shqipëria edhe e Mihalit dhe e Beratit.
Ajo që ne në dukje na tremb, kaosi në rrugët e Ksamilit dhe turizmi masiv në Golem e Shëngjin për shumë të huaj janë eksperienca të reja.
Vërshimi i turistëve perëndimor në Shqipëri, është një shkollë më vete për turizmin shqiptar, jo vetëm se janë më të pasur, por se kanë një kulturë argëtimi larg falsitetit apo standardeve të sigurta të një turizmi në Perëndim. Ata e dinë ku po vijnë.
Në një bar në Ksmail, dy turistë italianë po mësonin baristin, një nxënës shkolle pa përvojë, si bëhej Mohito, duke e improvizuar me gjërat që gjenin në banak dhe me nje degë mente qe e këputën mbi rrugë. Qeshnin me të madhe pse në atë bar gjetën dhe një shishe vere Luce të shtrenjtë.
Çmimet e ulëta që duket se janë në krye të arsyeve pse vijnë turistët në fakt nuk janë në krye. Dhe ato janë aq të shumëllojshme si gjithë gjërat e tjera të truizmit të pakoaliduar shqiptar. Edhe ato i ngjajnë rrëmujës së rrugëve pa trotuar, mungesës së adresave, mungesës së transportit publik, mbijetesës për të gjetur dhoma që lëvizin nga 30 euro në 300 euro, dhe gjithçka tjetër.
Turizmi shqiptar po i tërheq të huajt kryesisht ata të rinj, si një eksperiencë e re, nga ato që nuk lejohen më në Perëndim. Aty ku e di ku do shkosh, sa do harxhosh e çfarë ke të drejtë të bësh. Këtu nuk llogarit dot asgjë. Ndonjëherë as si do të kthehesh.