Nga: Evarist Beqiri
Në vitin 1901, Ismail Qemali ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të Mbretëreshës Viktoria në Londër. Qemali ishte ndër të paktët personalitete otomane që përpiqej të ndryshonte sistemin e qeverisjes në Perandorinë Osmane. Me mbështetjen e ambasadorit të atëhershëm britanik në Stamboll, Sir Philip Currie, Qemali botonte gazetën me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar) e cila promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese dhe korrte sukses në qarqet intelektuale otomane.
Në vijim, vetëm pas këmbënguljes së madhe të sulltanit, kjo gazetë u mbyll. Sulltan Abyl Hamidi II u përmbajt nga vendimi për ta arrestuar Ismail Qemalin, vetëm për shkak se ai gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe dhe se një veprim i tillë do të kishte pasoja në marrëdhëniet dypalëshe. Por, menjëherë pas një manifestimi në konsullatën britanike, të organizuar nga Ismail Qemali, Sulltani vendosi dëbimin e Ismail Qemalit duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit.
Ky ishte i vetmi ndëshkim që Sulltani mund t’i jepte atij në atë moment. Sulltan Abyl Hamidi II ishte i vetëdijshëm për mbrojtjen që do t’i jepnin atij britanikët, në rast të arrestimit ose internimit të Ismail Qemalit. Prandaj, Sulltani e pa largimin e Qemalit nga kryeqyteti si zgjidhjen më të mirë. Tripoli ishte një nga provincat më të largëta dhe më të vështira të Perandorisë Osmane, e cila kishte lidhje me Stambollin vetëm me rrugë detare.
Ismail Qemali përshkruhej nga shtypi evropian si “një njeri i drejtë, i ndriçuar, dhe i edukuar”. Lajmi i arratisjes së Ismail Qemalit u pasqyrua gjerësisht në shtypin e evropian të kohës dhe bëri bujë edhe në Shqipëri. Ky moment do të shënonte një pikë kthese vendimtare për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të ardhmen e saj. Arratisja nga Stambolli e veshi Ismail Qemalin me një aureolë të shndritshme dhe me mantelin e heroit në sytë e shqiptarëve.
Kur të përzuri Turqia
Cili je ti more burrë?
Që na vjen nga Shqipëria
Unë jam ‘Smail Qemali
Mbrapa më vjen historia
Sazan e Karaburun
Janë vatanet e mia
Do ti marrë se s’është punë
Është e jona Shqipëria.”
Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Petroviq, do t’i shkruante proverbialisht ambasadorit austro-hungarez në Stamboll, baronit Kaliçe, në një raport të datës 14 maj 1900 se “tek Ismail Qemali, shqiptarët shohin udhëheqësin e tyre të ardhshëm”. Nga Brukseli, në tetor të vitit 1900, Ismail Qemali do t’ju drejtonte një thirrje gjithë shqiptarëve, ku ndër të tjera shkruante: “Të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj, duhet të bashkohemi dhe ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit, duke i treguar Evropës se shqiptari ka mbetur gjithmonë evropian në gjak dhe se nuk dëshiron gjë tjetër veçse të forcojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet”.
Dhe, në fund, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të mëdha, veprimtaria e Ismail Qemal Vlorës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë, në vitet 1900-1912, do të rezultonte vendimtare dhe do të kurorëzohej me Pavarësinë e Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor 1912 …